Xherdan Shaqiri shënoi gol ndaj Serbisë, por vendosi edhe rekord të ri. Shqiptaro-zvicerani është i vetmi futbollist i helvetëve që ka realizuar në 3Botërorët e fundit.

Në botë janë edhe 2 futbollistë të tjerë që e kanë arritur këtë gjë, Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo. Në Brazil 2014, Shaqiri shënoi 3 gola ndaj Hondurasit. Në Rusi 2018 dhe Katar 2022 ai ndëshkoi Serbinë.

Jo vetëm kaq, por nga viti 2014 e deri më tani, sulmuesi i krahut ka festuar golin në të pestë turnetë e mëdhenj të futbollit, Europian e Botëror.

Si ai ka bërë vetëm Kristiano Ronaldo nga lojtarët europianë.

Objektivi i tij i radhës, do të jetë sfida ndaj Portugalisë, ku sulmuesi i krahut do të kërkojë golin e parë në një fazë të eliminimit direkt në një Kupë Bote.

Me sfidën ndaj serbëve, Shaqiri, Granit Xhaka dhe Rikardo Rodriguez shkojnë në 11 takime me kombëtaren helvete në një botëror, duke vendosur rekord.

Sfida ndaj Serbisë ishte e dyta në një Kupë Bote ku Zvicra e gjeti golin me tre lojtarë të ndryshëm, Shaqirin, Embolon dhe Frojler-in, ajo e mëparshmja ishte ndaj Romanisë në vitin 1994.

Klan News