Trajneri kroat rrëfen suksesin dhe jetën në Shqipëri

Kështu është zgjuar Shkodra mëngjesin e së shtunës. Urimi shkon për ditëlindjen e atij që konsiderohet shpëtimtari dhe strategu i Vllaznisë, Thomas Brdariç. Ish-lojtari i përfaqësueses gjermane, premtoi të sillte energji të reja te Vllaznia, nëse i jepej besim, por bëri më shumë. Brdariç riktheu shpresën, entuziasmin dhe ëndrrën e titullit kampion. Megjithatë kroati me disiplinë gjermane qëndron me këmbë në tokë dhe pranon se ndihet në Shkodër si në shtëpi.

“Gjeta njerëz shumë të shoqërueshëm, të sjellshëm. Që në ditën e parë u ndjeva shumë komod. Jam pak i befasuar për atë që po ndodh në Shkodër kohët e fundit, por ne e meritojmë. Unë jam vetëm një trajner dhe përpiqem t’i shpjegoj ekipit çfarë kërkoj prej tyre, dhe ekipi im e zbaton. Kur ne shkojmë në të njëjtin drejtim çdo gjë shkon mirë”, tha ai.

Po si e kalon ditën trajneri, i cili e rindërtoi ekipin e Vllaznisë.

“Unë përpiqem ta balancoj, 50 % të kohës merrem dhe mendoj për futbollin, pjesën tjetër shoh jetën personal. Përpiqem ta kaloj këndshëm, shëtis pranë liqenit, mund të takoj miq, të kaloj kohë të bukur dhe me pas të pushoj dhe relaksohem”, u shpreh trajneri.

Djali i trajnerit po stërvitet me Vllazninë, një shenjë që Thomas Brdariç është familjarizuar me qytetin.

“Në këtë pikë opsioni im i parë është të qëndroj me Vllazninë, të shohim si shkon ecuria këto javë dhe muaj. Me siguri do të diskutojmë, ndoshta dhe negociata të reja. Por është e rëndësishme të rrisim nivelin e punës dhe strategjinë e infrastrukturës”, tha ai.

Në Shkodër Vllaznia është e shenjtë si një fe dhe Thomas Brdariç shikohet si hero. Kështu tifozët e ndalin vazhdimisht dhe e falenderojnë për punën e tij.

Tv Klan