Rënie të kurbës në Spanjë dhe Itali

Numrin më të lartë të viktimave mes vatrave aktive të koronavirusit në kontinent e ka Britania e Madhe. 813 persona humbën jetën në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm ë tyre në mbi 20 mijë.

Britania bëhet vendi i pestë në botë që ka më shumë se 20 mijë viktima nga koronavirusi, pas Shteteve të Bashkuara, Spanjës, Italisë dhe Francës. Të prekurit prej fillimit të pandemisë janë mbi 148 mijë.

Sekretarja për Çështjet e Brendshme tha se shifra e viktimave përfshin vetëm ata pacientë që kanë humbur jetën në spitale. Sipas saj, ende nuk është bërë bilanci i të vdekurve nga koronavirusi nëpër shtëpi e azile. Këtë javë, Britania e Madhe pati rënie të numrit ditor të të vdekurve, megjithatë shifra e lartë e kësaj të shtune tregon se ky vend nuk e ka kaluar ende kulmin e pandemisë.

Në 24 orët e fundit, Rusia shënoi një shifër të lartë prej afro 6 mijë të infektuarisht duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në mbi 74 mijë. Ky vend pati një shifër të ulët viktimash ditore, 66, me një numër total prej 681 viktimash.

Italia dhe Spanja shënuan edhe këtë të shtunë shifra të ulta të viktimave ditore, përkatësisht 415 dhe 378. Numri i të vdekurve ditorë të këtyre ditëve renditet ndër më të ultit në këto vende që prej fillimit të pandemisë, që shndërroi Italinë dhe Spanjë në vatrat më të mëdha të kontinentit.

Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të lartë të të prekurve nga COVID-19. Shifra tyre është aktualisht mbi 920 mijë dhe brenda pak ditëve do të prekë 1 milionshin. Viktimat përllogariten në afro 53 mijë.

Numri i viktimave në të gjithë globin arriti në mbi 200 mijë, ndërsa në total numërohen mbi 2.3 milionë të prekur.

Tv Klan