BSH: Gjysma e parë e vitit tkurri shitjet me 70%


BSH: Gjysma e parë e vitit tkurri shitjet me 70%

15:56 29/09/2020

Biznesi i vogël më i prekuri, 24.6% rezultojnë me humbje

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme rezultojnë si bizneset më të prekura nga efektet e pandemisë gjatë gjysmës së parë të këtij viti.

Në një vrojtim të realizuar nga Banka e Shqipërisë me 1374 sipërmarrje të shpërndara në të gjithë vendin, rezulton se bizneset e vogla kanë pësuar rënie të shitjeve me 72%, ndërmarrjet e mesme kanë patur rënie të të ardhurave me 76%, ndërsa të mëdhatë me 64%.

“Ndonëse ecuria e shitjeve paraqet një situatë të rënduar, të tre grupet e ndërmarrjeve vijojnë të kenë pritshmëri pozitive lidhur me ecurinë e tyre”.

24.6% e bizneseve të vogla rezultojnë me humbje në 6 muajt e parë të vitit. Te segmenti i bizneseve të mesme e të mëdha, rezultojnë rreth 16% me bilanc financiar negativ: shitjet kanë qënë më të ulta se shpenzimet për të mbajtur biznesin.

“Krahasuar me periudhën e mëparshme, pesha e ndërmarrjeve që kanë raportuar fitim ka shënuar rënie për të tre grupet e ndërmarrjeve”.

40% e bizneseve raportojnë se kanë një hua për të paguar, ndërsa shpenzimet për këstin mujor arrijnë deri në 20% të të ardhurave që sigurojnë nga shitjet.

Rreth gjysma e sipërmarrjeve janë shprehur se nuk kanë mundësi që të kërkojnë një financim të ri nga bankat, ndërsa situata për rënien e kërkesës për kredi është reflektuar edhe te grupi i konsumatorëve.

45% e familjeve të vrojtuara nga banka qëndrore janë shprehur se kanë përkeqësim të aftësisë paguese të kredisë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.

Tv Klan



Të ngjashme