Bulevardit Zogu i Parë do të transformohet në një zonë tërësisht dedikuar turistëve. Kryebashkiaku Veliaj zgjodhi diskutimet për buxhetin në njësinë 9, për të dhënë disa detaje të projektit që pritet të jetëzohet.

“Ambicia jonë është që Bulevardi “Zogu I”, nga ish-Stacioni i Trenit deri tek Sheshi “Skënderbej” të transformohet në një rrugë shopping-u, siç kemi bërë me pjesën e Pazarit të Ri; për këtë do të rregullojmë të gjitha fasadat, do ta zgjerojmë akoma më shumë trotuarin, do të kemi 4 sheshe dhe 4 ‘piaceta’. Do të jetë një nga rrugët më të bukura në Tiranë, pa dalluar shumë nga Bulevardi i Ri”.

Rikthimi i trenit në kryeqytet ishte tjetër lajm i kryebashkiakut në këtë takim.

“Lajmi i mirë që na erdhi nga Edi dhe Damiani është se do t’i rikthehemi trenit të Tiranës, aty ku ka qenë stacioni i trenit. Risia është se do të kemi një tren elektrik në Tiranë. Kemi zgjedhur një tren hibrid, i cili do të punojë me karburant pasi lë Tiranën, por sa hyn në Tiranë, do të punojë me energji elektrike”.

Tv Klan