Kritikat e ashpra të Kryeministrit Edi Rama ndaj Bullgarisë që pengon çeljen e negociatave me BE-në për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kanë shkaktuar reagimin e Bullgarisë.

Ministria e Jashtme bullgare, në një reagim zyrtar, kërkon që Kryeministri Edi Rama të rregullojë mënyrën e të shprehurit.

Sofja zyrtare thekson se Bullgaria ka mbështetur dhe mbështet integrimin evropian të Shqipërisë, ndërsa thekson se marrëdhëniet mes dy shteteve nuk mund të cënohen nga sjellja e Kryeministrit Rama.

“Bullgaria ka qenë gjithmonë nga ato shtete që mbështesin përkatësinë europiane të popullit shqiptar. Ne kemi mbrojtur perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, edhe kur ishte më e vështirë se sot. Gjatë viteve nuk ka pasur shumë zëra të tjerë me ne në këtë kauzë. Ne e mbrojmë atë pavarësisht gjithçkaje, në emër të një të ardhmeje të përbashkët evropiane.

Si kundërpërgjigje, nuk është hera e parë që dëgjojmë deklarata të paprovokuara e të ashpra, fyese nga kreu i një qeverie. Një gjuhë e tillë nuk mund të justifikohet më nga mungesa e aftësive evropiane të komunikimit. Presim që Kryeministri shqiptar të rregullojë mënyrën e të shprehurit, në një gjuhë që i përshtatet një politikani të një vendi kandidat për anëtarësim në BE.

Më shumë se kushdo tjetër, ne insistojmë që të mbajmë një ton të mirë komunikimi. Ne kemi treguar gjithmonë respektin që kërkohet në nivelin e marrëdhënieve ndërshtetërore. Ne kemi një të ardhme të përbashkët me Shqipërinë. Politikanët largohen. Kombet mbeten. Popujt tanë kanë një interes të përbashkët, që nuk duhet cënuar nga gjykimi i gabuar i një politikani. Është e papranueshme që marrëdhëniet mes shteteve të bëhen peng i sjelljes së Kryeministrit aktual shqiptar”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë.

Një ditë më parë, pas përfundimit të samitit të Këshillit Europian kur dështoi sërish çelja e negociatave, Rama e quajti Bullgarinë “një turp” dhe “një shtet që ka marrë peng dy vende të NATO”.

Rama i përgjigjet Bullgarisë: Hiqni veton ose më duroni mua

Nuk ka vonuar reagimi i Kryeministrit Edi Rama, i cili u është përgjigjur deklaratave të Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë, që e kritikoi për mënyrën e të folurit.

Në një reagim në Twitter, Rama thotë se edhe ai vetë ka problem me mënyrën se si Bullgaria zgjidh çështjet dypalëshe duke përdorur BE-në.

E në këtë aspekt, Rama i ka kërkuar Bullgarisë që të heqë veton ose, siç thotë vetë, “të durojnë sjelljen e tij”.

Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka një problem me mënyrën time të të folurit. E drejtë. Edhe unë kam një problem me mënyrën se si Bullgaria dëshiron të zgjidhë çështjet bilaterale duke përdorur procesin e zgjerimit si mjet për rrëmbimin e dy vendeve të NATO. Miq, hiqeni veton ose më duroni mua. Dhe meqë ra fjala, miq të dashur bullgarë më lejoni t’ju rikujtoj se u desh një telefonatë e shkurtër me Boyko Borissov për të zgjidhur miqësisht dhe sinqerisht çështjen e minoritetit bullgar në Shqipëri. Miqtë e vërtetë nuk dëmtojnë njëri-tjetrin, por flasin realisht me njëri-tjetrin dhe i japin dorën”, ka shkruar Rama. /tvklan.al