Bullgaria nuk heq dorë nga bllokada ndaj hapjes së kapitujve të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian ndaj Maqedonisë së Veriut. Mediat bullgare shkruajnë se ky qëndrim u mbajt nga ambasadori bullgar i pranishëm në mbledhjen e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në Bruksel, me argumentimin se Shkupi ende nuk i përmbush kriteret për të qenë pjesë e konferencës së parë ndërqeveritare.

Ambasadori bullgar Rumen Aleksandrov rekomandoi që Shqipëria të vlerësohet e veçuar nga Maqedonia e Veriut, duke lënë të kuptohet që procesi të vazhdojë vetëm për vendin tonë. Megjithatë, siç shpjegon ai për mediat bullgare, nuk ka konsensus mes përfaqësuesve të shteteve anëtare të unionit për ndarjen e dy vendeve.

Aleksandrov u shpreh se Bullgaria propozoi disa opsione për kapërcimin e mosmarrëveshjeve me Maqedoninë e Veriut lidhru me të drejtat e njerëzve me kombësi bullgare, si dhe me zbatimin e traktatit të miqësisë të nënshkruar mes dy shteteve. Konkluzionet e kësaj mbledhjeje nuk janë bërë të ditura për shkak të zisë kombëtare në Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari, si pasojë e aksidentit tragjik të së Martës me 44 viktima.

Tv Klan