Burri djeg gruan në makinë dhe var veten



Burri djeg gruan në makinë dhe var veten

15:36 10/04/2021

Dyshohet se shkak u bënë konfliktet e divorcit

Një 45-vjeçare nga fshati Manskuri i Kavajës u gjet e shkrumbuar brenda një makine mesditën e kësaj të shtune në dalje të tij. Ishin banorët e zonës që lajmëruan policinë e cila kur shkoi në vendin e ngjarjes identifikoi viktimën si Fëllënxa Shirja.

Efektivët e policisë gjetën të pajetë shumë pranë vendit të ngjarjes edhe bashkëshortin e saj Bilbil Shirja që shihni në këtë foto. 48-vjeçari i kishte dhënë fund jetës duke u vetëvarur në një pemë. Nga të dhënat e para dyshohet se bëhet fjalë për një konflikt në familje.

Çifti Shirja që kishte 2 fëmijë të rritur, një djalë dhe një vajzë ishte duke zhvilluar prej pak muajsh procedurat e divorcit dhe konfliktet kishin qenë të vazhdueshme. Burime nga grupi hetimor thanë se dyshimet janë për një vrasje dhe vetëvrasje.

Në pyetje janë marrë paraprakisht personat që gjetën makinën duke u djegur si dhe familjarë të çiftit. Burimet thanë se edhe pse çifti ishte në proces divorci vijonte të jetonte në të njëjtën banesë çka dyshohet se ka ndikuar në agravimin e konfliktit.

Sipas të njëjtave burime shkak për divorcin ishin bërë debatet e vazhdueshme për çështje xhelozie. 

Tv Klan







Të ngjashme