Pas Tiranës, Athina do të jetë ndalesa e grupit negociatator shqiptar për të vijuar bisedimet me fqinjin tonë jugor për marrëveshjen e detit. Ka qenë ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i ftuar në Komisionin e Jashtëm ai që paralajmëroi raundin e bisedimeve teknike mes palëve, ndonëse nuk e cilësoi një proces të lehtë.

“Grupi negociator ka zhvilluar disa seanca për marrëveshjen me detin, është bërë edhe raundi i bisedimeve teknike në Tiranë, javën tjetër është raundi i ardhshëm në Athinë. Nuk është proces i lehtë, por nga ana tjetër s’ka me të panjohura për palët”.

Nuk ka vonuar dhe fryti i parë i këtyre bisedimeve, me të cilin po negociohet për disa çështje të mbartura.

“Jemi pak hapa larg për firmosjen e marrëveshjes për lejen e drejtimit të automjeteve”.

Duket se kjo klimë e re në marrëdhëniet me Greqinë, Shqipërisë po i shërben jo vetëm për një votë pro hapjes së negociatave në Qershor. Të premten sikundër paralajmëroi edhe ministri Bushati, homologu i tij grek Kotsiaz duket se do të marrë edhe rolin e lobuesit, teksa pritet të mbledhë në një tyrezë disa prej ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së në Athinë, pikërisht për këtë çështje.

“Ministri i jashtem grek veç takimit të së premtes do bëjë edhe një aktivitet të posaçëm të Shqipërisë me vendet e BE”.

Ndonëse thotë se në këtë proces Shqipëria është përpara një tatëpjete për shkak edhe të skepticizmit të disa vendeve anëtare, një rol negativ i njeh edhe opozitës. Pa ironizuar nuk lë edhe pjesëmarrjen e kreut të demokratëve Basha në takimin me deputetët faktmbledhës holandezë”.

“Hedhin baltë në gjuhë të huaj për Shqipërinë. Nuk kam besim se këtë plagë ne do ta shërojmë. Mos mendoni se këto vende do shkojnë me mendje tjetër pasi dëgjojnë atë që futet në një drekë si fan spathi”.

Për shkak të skepticizmit të disa vendeve të BE-së, ministri Bushati tha se i ka ftuar personalisht ato që të sjellin deputetë faktmbledhës, me qëllim marrjen e një vote pozitive në Qershor. Në funksion të këtij procesi Bushati tha se në Samitin e Sofies pritet edhe një diskutim i gjerë mes Kryeministrit Rama dhe Presidentit Macron.

Tv Klan