Trajneri i kombëtares Shpresa tha se ndaj Sllovenisë do të ndryshojë strategjinë ndërsa synon fitoren

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit të 21-vjeçarëve, Alban Bushi, deklaroi se në sfidën e së premtes kundër Sllovenisë, skuadra e tij do të përdorë një strategji ndryshe nga herët e tjera për të marrë tri pikët.

Gjendja e kuqezinjve është mjaft e mirë dhe nuk ka të dëmtuar. Në konferencën për shtyp para përballjes, tekniku u shpreh se është i kënaqur edhe me rikthimin e Ernest Muçit në sulm.

“Kemi ndryshuar diçka në përbërjen, taktikën, strategjinë tonë qe do ta shohim në ditën e ndeshjes. Shpresoj që lojtarët do ta bëjnë shumë mirë, e kanë bërë në stërvitje. Jemi përqendruar sidomos te kundërsulmi, do të mbrohemi shumë mirë dhe do të kundërsulmojmë shumë, porn ë momente të caktuara duhet të mbajmë dhe topin, të kemi sa më pak lodhje”.

Trajneri beson se ekipi mund ta arrijë vendin e dytë në grup në kualifikueset e kampionatit europian 2023.

“Kjo varet e gjitha në ndeshjen me Slloveninë. Ne kemi 9 pikë, mendoj që çfarëdo që të ndodhë me Slloveninë, ne prapë do të jemi në lojë. Nuk besoj se do të ndodhë humbja, kam shumë besim që do të fitojmë”.

Tekniku i përfaqësueses Shpresa mendon se Shqipëria ka bërë shumë përpara në futboll, si me klubet, ashtu edhe me kombëtaret, e kjo do të bëjë që në të ardhmen të mos të krijohen më probleme sa i përket mungesave të lojtarëve.

Klan News