Mos bëni pazar kur bëhet fjalë për fytyrën, trupin apo shëndetin.

20-vjeçares Jenna Maclean iu desh ta nxirrte këtë mësim pasi e pësoi. E reja nga Skocia dëshironte të ndryshonte formën dhe volumin e buzëve me injeksion, por pa shpenzuar shumë. Ajo punon si infermiere dentare dhe mund të kishte kërkuar ndihmën e profesionistëve, por vendosi të mos paguante 500 paund dhe bëri kompromis me një vend tjetër duke paguar 130 paund.

Në Dhjetor të 2020, ajo iu drejtua klinikës me të cilën kishte caktuar takimin.

“Procedura zgjati 15 minuta. Por buzët e mia nisën të gjakoseshin keq saqë më dhanë një pecetë të lagur për ta mbajtur. Isha kaq në siklet sa e mbajta maskën e Covid-it deri në shtëpi. Gjakderdhja pushoi pas 20 minutash, por buzët e mia u forcuan dhe u krijuan gunga. Buza e sipërme u var dhe kur buzëqeshja mbulonte të gjithë dhëmbët”.

Jenna u detyrua t’i drejtohej klinikës ku punonte, në të cilën me anë të një uljeje për stafin, iu krye procedura e duhur. Profesionistja i hoqi lëndën e injektuar dhe procedura prej 45 minutash i dha 20-vjeçares pamjen e dëshiruar që prej adoleshencës./tvklan.al