Drejtori i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Haki Çako gjatë konferencës për shtyp në lidhje me masat e marra nga Policia e Shtetit për parandalimin dhe goditjen e Kultivimit  të kanabisit, si dhe për parandalimin  dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike .

 Në kuadër të masave për zbatimin e detyrimeve që lindin nga  “Plani i veprimit kundër Kultivimit të Kanabisit 2017-2020” miratuar nga Qeveria Shqiptare, si dhe në zbatim të detyrave të përcaktuara në  Planin e Veprimet të Ministrisë  Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë së Shtetit, “Për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike për vitin 2017”, nga Strukturat e Policisë së Shtetit në të gjitha D.V.P ka filluar zbatimi i masave konkrete.

 Strukturat e Policisë së Shtetit prej fillimit të vitit 2017, po vijojnë në mënyrë intensive dhe të pandërprerë në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe institucionet e tjera kontrollin e territorit, të ish magazinave shtetërore, ish depove dhe tuneleve të ushtrisë, banesat e braktisura, serat dhe çdo ambient dhe sipërfaqe toke e konsideruar me risk që mund të kultivohet bimë narkotike nisur edhe nga të dhënat e grumbulluara nga ana e Policisë së Shtetit  në vitet e kaluara.

Paralelisht me kontrollin e territorit nga toka edhe nga ajri, Policia e Shtetit, ka marrë një sërë masash të tjera dhe konkretisht:

Në të gjitha qarqet u zhvilluan  konferencat rajonale duke bërë pjesë të gjithë faktorët dhe aktorët që kanë përgjegjësi për marrjen e masave për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit dhe punonjësit e Policive private  kanë marrë porosi dhe kanë filluar të vetëdeklarojnë se ata dhe familjarët e tyre nuk do të përfshihen në kultivimin e bimëve narkotike.

Me qëllim kontrollin dhe monitorimin e plotë të  territorit dhe veçanërisht zonave të konsideruara me risk, janë përcaktuar punonjësit e Policisë përgjegjës për kontrollin e territorit të cilët do të mbajnë përgjegjësi ligjore për territorin që mbulojnë në rast se evidentohet dhe konstatohet kultivim i bimëve narkotike.

Në vijim të kontrollit të territorit, më datë 01.04.2017, në vendin e quajtur Godull, në një zonë të pyllëzuar, në rrethin Kurbin, nga shërbimet e Stacionit të  Policisë Kufitare Shëngjin Lezhë, është konstatuar një parcelë e porsa mbjellë me fidanë të dyshuar Cannabis Sativa.

 Në parcelë janë evidentuar  513  fidanë  Cannabis Sativa, në lidhje me këtë fakt janë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe proceduriale, në kontakt me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin.

Njëkohësisht me veprimet proceduriale në lidhje me rastin e konstatuar të kultivimit të bimëve narkotike, me urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit Drejtoria e Standarteve Profesionale ka filluar procedimin disiplinor për punonjësit e policisë në strukturat vendore të Drejtorisë Policisë Lezhë si dhe Komisariatit të Policisë Kurbin.

Nga analiza e bërë në Drejtorinë e Policisë Shtetit mbi këtë çështje, u konstatuan një sërë shkeljesh të karakterit administrativ dhe disiplinor nga punonjës të strukturave të policisë në Komisariatin e Policisë Kurbin dhe Drejtorinë e Policisë Vendore Lezhë, për të cilët në bazë e për zbatim të Ligjit për Policinë e Shtetit si dhe Rregulloren e Policisë, me Urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit u morën masat si më poshtë :

 

  1. Inspektor Gjon Deda, me detyrë Ndihmës specialist SPZ, në Njësinë Administrative Fushë Kuqe, Komisariati i Policisë Kurbin, për shkelje të rënda disiplinore, u përjashtua nga Policia e Shtetit.

 

  1. Nënkomisar Edvin Toptani me detyrë, Specialist në Seksionin e Hetimit të Krimeve, Komisariati i Policisë Kurbin, për shkelje të rënda disiplinore, u përjashtua nga Policia e Shtetit.

 

  1. Komisar Leonard Palushi, me detyrë Shefi Seksioni për Krimet, Komisariati i Policisë Kurbin, për shkelje të rënda disiplinore, u shkarkua nga detyra.

 

  1. Komisar Xhafer Kalbaj, me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet, Komisariati i Policisë Kurbin, për shkelje të rënda disiplinore, u shkarkua nga detyra.

 

  1. Kryekomisar Feliks Hysa, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Kurbin, për shkelje të rënda disiplinore,  u shkarkua nga detyra.

 

  1. Kryekomisar Maksim Bejko, me detyrë Shefi i Sektorit të Krimeve në Drejtorinë e Policisë Vendore Lezhë, për shkelje disiplinore , u pezullua nga detyra, deri në përfundim të hetimit disiplinor.

 Gjithashtu Drejtoria e Standardeve Profesionale ka filluar procedimin disiplinorë për Drejtorin dhe Zëvendësdrejtorin e Policisë Vendore Lezhë, me qëllim sqarimin e përgjegjësive drejtuese dhe organizative të strukturave në vartësi.

 Për këtë ngjarje është bashkëpunuar me strukturat  e SHÇBA-së, me qëllim referimin dhe hetimin procedurial penal të punonjësve të policisë me përgjegjësi ligjore në këtë çështje.

 Në  këtë kuadër ju bëjmë thirrje të gjithë punonjësve të administratës, pushtetit vendor dhe qytetarëve të bëhen pjesë  e angazhimit të përbashkët në luftën kundër kultivimit dhe trafikimi të lëndëve narkotike, duke përcjellë  informacion të menjëhershëm pranë strukturave të Policisë së Shtetit me qëllim parandalimin ,dokumentimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave që përfshihen në këtë veprimtari të paligjshme./tvklan.al