Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria është e përgatitur të dëgjojë çudira nga forca europiane që janë kundër zgjerimit të BE-së në muajt që vijnë, kur pritet zyrtarizimi i çeljes së negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Union.

Në disa vende anëtare ka individë dhe forca që as nuk e duan zgjerimin dhe as e dëshirojnë përparimin e rajonit në rrugën drejt anëtarësimit. Jemi të përgatitur për të dëgjuar çudira në muajt që vijnë, sepse loja politike me këtë proces nuk është ndonjë shkencë e madhe për t’u kuptuar, ashtu sikundër Shqipëria nuk është ndonjë forcë e madhe për të mos u trajtuar si top për lojëra të brendshme politike. Por, këto janë problematika krejt të natyrshme që do t’i trajtojmë me qetësi me vendosmërinë e argumenteve rast pas rasti dhe dëftesa që kemi në dorë nga dje na e bën pak më të lehtë këtë punë

”, tha Edi Rama në një konferencë për shtyp në Kryeministri me Shefen e Politikës së Jashtme të BE-së Federica Mogherini, një ditë pas dhënies së rekomandimit për çeljen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian.

Ekziston frika që forca të veçanta politike dhe faktorë të tjerë brenda vendeve anëtare të BE-së të bllokojnë nisjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë në kohën që Këshilli i Europës pritet të aprovojë rekomandimin e Komisionit Europian.

Kreu i qeverisë i bëri thirrje opozitës shqiptare dhe liderit të saj që të mos bashkëpunojë me asnjë faktor të huaj që do ta pengojë Shqipërinë në rrugën drejt BE-së.

Sot dua t’i lutem opozitës që të mos bashkëpunojë me asnjë faktor të huaj politik që për interesat e veta të brendshme do që ta pengojë Shqipërinë në këtë proces, të mos ushqejë zyra deputetësh andej e këndej me gënjeshtra dhe me gjysmë të vërteta dhe të mos eksportojë baltën e luftës sonë të brendshme politike por ta lënë mënjanë mllefin politik kur flasin në gjuhë të huaj.

Gjermania nuk është një vend skeptik për zgjerimin, përkundrazi, Gjermania është një vend kampion i projektit të Europës së Bashkuar dhe Merkel është në krye prej vitesh të një procesi ku, jo rastësisht ka marrë edhe lidershipin për të shpallur edhe një raport të ri me Ballkanin perëndimor…Në Gjermani, si edhe në vend të tjera, ka individë që janë skeptikë dhe ka forca që janë kundër zgjerimit. Një forcë që ka hyrë sëfundmi në parlamentin gjerman është një kërcënim për projektin evropian, e cila fatmirësisht është jashtë vendimmarrjes se koalicionit qeverisës. Por edhe brenda koalicionit ka individë të cilët ne i njohim, që janë të lidhur ngushtë me Partinë Demokratike të Shqipërisë, që ushqehen rregullisht nga propaganda për të cilën unë fola. Ashtu sikundër ka edhe ndonjë që ka ardhur e ka bërë fushatë kundër nesh qershorin e kaluar, çka është normale.

Çështja Tahiri

Duke folur për çështjen Tahiri, Rama tha se është “

shumë e rëndësishme që ne të arrijmë dhe të shpjegojmë se në çështjen e Saimir Tahirit, Kuvendi dhe shumica qeverisëse ka zbatuar në frymë dhe germë gjithçka Komisioni i Venecias ka nënvizuar në lidhje me rastet kur një komision në parlament thirret në detyrë për të trajtuar çështjen e arrestit për një deputet. Ne po presim që prokuroria të rikthehet me të paktën 1 provë, jo 10, por 1. Dhe Prokuroria e Krimeve të rënda është larg, shumë larg së qeni një trupë që mund të konsiderohet e influencueshme nga shumica…

Pas publikimit të raportit të progresit për Shqipërinë dhe vendet e tjera ballkanike nga Komisioni Evropian ditën e martë, Mogherini ka fluturuar drejt Tiranës, si ndalesa e parë e turit të saj 3-ditor në rajon.

Më herët të mërkurën ajo u prit nga Presidenti Ilir Meta, ndërsa pas takimit me Ramën, do të takohet me udhëheqës të opozitës.

Shqipëria dhe Maqedonia pritet t’i bashkohen së shpejti Serbisë dhe Malit të Zi, vende që tashmë i kanë nisur negociatat e anëtarësimit. Ndërsa, sipas rekomandimit të Komisionit Europian, Kosova dhe Bosnje Hercegovina kanë ende punë për të bërë në këtë drejtim. /tvklan.al