Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Ky është presidenti i ri i SHBA, Xhorxh W Bush, i cili u betua në Washington, në sheshin përpara ndërtesës së Capitol Hill, si presidenti i 43-të amerikan. Kjo është një nga momentet më të rëndësishme në historinë amerikane, por për Bushin, kjo është e veçantë pasi ndodh 8 vjet pas largimit të të atit nga Shtëpia e Bardhë. Fjalët e betimit që bëri presidenti Bush, janë të njëjta si 200 vjet më parë. Himni kombëtar i SHBA dhe të shtënat e topit, shënuan momentin kulmor të ceremonisë së betimit.

Në fjalimin e tij të parë, si president, Bushi falënderoi presidentin Klinton, si dhe të gjithë presidentët e mëparshëm. Mesazhi i Bushit ishte, angazhim për të punuar për një komb të vetëm dhe të bashkuar. Ceremonia kishte si pjesë të saj edhe bekimin nga një prift. Më në fund himni kombëtar amerikan shënoi fundin e kësaj ceremonie, që përsëritet një herë në katër vjet./tvklan.al