Gledis Nano: Revolucion të forcës policore pa vonesë, qytetarët presin një polici më të ashpër me kriminelët

443 efektivë të rinj do t’i bashkohen  Policisë së Shtetit. Të rinjtë përfunduan trajnimin në Akademinë e Sigurisë dhe tashmë pritet të nisin punën në terren. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, i pranishëm në ceremoninë e certifikimit të tyre në Akademinë e Sigurisë tha se imazhi i policisë së shtetit po ndryshon pozitivisht.

“Dëshira juaj dhe e mijëra të rinjve, që çdo vit aplikojnë për t’u bërë pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit, na mbush me shpresë se imazhi i Policisë së Shtetit po ndryshon me shpejtësi në kahun pozitiv dhe besimi i gjeneratës së re, por edhe i mbarë qytetarëve po rritet nga dita në ditë. Të jesh punonjës policie nuk është privilegj, as vend pune, është përgjegjësi morale, humane  dhe ligjore. Kurrë mos e harroni këtë trekëndësh, në rast se doni që të lexoni në sytë e qytetarëve, vlerësim, besim dhe mbështetje”.

Kreu i Policisë së shtetit u dha edhe këshillat e tij efektivëve  më të rinj

“Qytetarët presin shumë nga unë në radhë të parë, por edhe nga ju, brezi i ri, që të shikojnë një polici më profesionale, më etike, më humane dhe më të ashpër me kriminelët dhe shkelësit e ligjit. Ju sot po lini klasat, auditorët, ambientet e studimit dhe të stërvitjes, për t’u hedhur me vendosmëri në veprim në skajet ku përballet e mira me të keqen, paqja me rrezikun. Ne kemi nevojë për një revolucion të forcës policore dhe unë bashkërisht me pjesën e shëndoshë dhe ju brezin e ri të Policisë do ta kryejmë atë pa vonesë e pa justifikime, duke mos u stepur nga vështirësitë apo pengesat”.

Nano u shpreh se zyra dhe telefoni i tij do të jenë të hapura për çdo iniciativë pozitive që është në interes të qytetarëve dhe imazhit të Policisë. 443 efektivët e rinj do të jenë në shërbim të  Patrullës së Përgjithshme në Policinë e Shtetit.

Klan News