Ditën e dielë në Kongresin e PS, kryeministri Edi Rama bëri të ditur publikisht ndryshimet në kabinetin e tij qeveritar. Ndryshime të cilat janë diskutuar gjerësisht nga opinioni publik, veçanërisht emërimin e Elisa Spiropalit si kryetare të Parlamentit, në vend të Lindita Nikollës.
Në një intervistë për Klan News me gazetarin Besard Jacaj, analisti Mentor Kikia tha se emërimi i Spiropalit në këtë post është i justifikuar, duke marrë shkas nga angazhimi i saj në debatet politike në seancat parlamentare.
Mentor Kikia, analist:Tani kemi pranuar publikisht variantin që Lindita Nikolla është tërhequr nga detyra e saj si kryetare e Parlamentit për arsye shëndetësore, siç e pohoi ajo vetë. Emërimi i Spiropalit në krye të Parlamentit shqiptar pa dyshim është një veprim i justifikuar brenda socialistëve, pasi Spiropali është deputetja më aktive në Parlament. Rama në motivimin që bëri për zgjedhjen e tij pohoi edhe faktin që ajo kishte mbajtur mbi 50% të debatit politik në Parlament dhe si e tillë është graduar me postin e kryetares së Parlamentit.
Megjithatë analisti u shpreh se për Spiropalin mund të ishte përcaktuar një post tjetër në kabinetin qeveritar, pasi sipas tij kryetarja e Kuvendit duhet të jetë një person që ka kontroll dhe përballon presionin nga të dyja palët politike, duke e krahasuar këtë me karakterin energjik dhe karizmatik të Spiropalit.
Mentor Kikia, analist: Edhe pse kryetarja e Parlamentit kërkon tashmë edhe një tjetër qasje në raport me politikën dhe në raport me kolegët deputetë në sallë, të cilët nuk mund dhe nuk duhet të ndahen, në të partisë sime dhe të partive të tjera. Kryetari në një farë mënyre është ai gjyqtari mes palëve që duhet të respektojë rregulloren. Kështu që Spiropalit do të duhet të dalë nga vetja tashmë, përtej karizmës dhe atij njeriut energjik që i përgjigjej gjithkujt dhe replikonte me gjithkënd dhe mbante me të vërtet një peshë të madhe në luftën politike dhe në debatin politik brenda Parlamentit. Megjithatë mendoj se mund të kishte patur një tjetër pozicion politik për të në parti dhe jo kryetare e Parlamentit. Por kryetari i Parlamentit kërkon një njeri disi më të përmbajtur dhe një njeri në gjendje të përballojë presionin politik që vjen nga të gjitha palët./tvklan.al