Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar një takim me krerët e partive politike parlamentare për tu konsultuar për datën e zgjedhjeve të rregullta.

Ftesës nuk i është përgjigjur kreu i LVV-së njëherësh kryeministri Albin Kurti si dhe kreu i Listës Serbe. Presidentja tha se nuk e di arsyen e mungesës së tij.

Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës: Nëse flasim për mospërfillje mendoj që është e kundërta. Sa i përket konsultimeve të më vonshme, unë nuk e përjashtoj këtë mundësi sepse nuk e përjashtova me asnjë parti politike.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, mospjesëmarrjen e kryeministrit në takim e arsyeton me praninë e tij në një  drekë me 21 ambasadorë të akredituar në Kosovë.

E partitë e mëdha parlamentare opozitare, LDK, PDK e AAK  konsiderojnë se 26 Janari është data më e përshtatshme për zgjedhje.

Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së: Kemi propozuar datën 26 Janar si datën më optimale, duke qenë se është edhe data e parë e cila na lejon mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta.

Presidentja Osmani tha se nuk ka parë vullnet politik për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës: Përcaktimi i datës së zgjedhjeve të rregullta ligjërisht nuk e përjashton mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Në rast se Kosova shkon në zgjedhje të rregullta parlamentare atëherë kjo do të jetë hera e parë pas pavarësisë që një qeveri e përfundon mandatin e saj.

Klan News