Sonte në emisionin “Opinion” ishte i ftuar Ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, në një përballje me gazetarët Andrea Stefani, Robert Rakipllari, Alfred Peza dhe Franko Egra dhe në lidhjetë drejtpërdrejtë Preç Zogaj.

Konflikti i Ministrisë së Punëve Publike, Tranporteve dhe Telekomunikacionit dhe qeverisë shqiptare me Bashkinë e Tiranës për sheshin Skënderbej ishte një nga temat që u diskutuan në studio.

Ministri Olldashi: Nuk ka nëj kundërshtim në parim të qeverisë për fillimin e punimeve në shesh. Ka një kundërshtim për procedurën ligjore që ndiqet për fillimin e punimeve, për mënyrën se si veprohet dhe më pas ka patur një diskutim në nivel ekspertësh dhe jo në nivel qeverie për çfarë do të jetë ky shesh. Problemi real që ne kemi është një problem ligjor. Sheshi Skënderbej, duke qenë sheshi kryesor i Tiranës, i nënshtrohet një rregullimi ligjor dhe administrativ të veçantë. Pra rregullohet nga ligji i urbanistikës që është në fuqi, rregullohet nga nene të caktuara që i referohen qendrave të qyteteve me mbi 50 mijë banorë dhe ka dhe një rregullim specifik që lidhet me VKM-në e vitit 2000, kur zoti Rama ka qenë Ministër Kulture dhe ka qenë pikërisht propozim i tij, për shpalljen  në ansambël monument kulture të të gjithë aksit të bulevardit, duke filluar nga Universiteti Politeknik deri te stacioni i Trenit, përfshirë sheshin. Ka një projekt të aprovuar, që është plani francez i qendrës. Në qoftë se lejet për punimet do të ishin dhënë në përputhje me këtë plan, do të kishte qenë ekskluzivitet i Bashkisë së Tiranës dhënia e lejes dhe fillimi i punimeve dhe këtu qeveria do të ishte e kufizuar në të drejtën e saj për të ndërhyrë. Por në momentin që mbi një plan të miratuar nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë mbivendoset një plan tjetër i pamiratuar, lind detyrimi ligjor i Bashkisë së Tiranës, në përputhje me ligjin për urbanistikën dhe të VKM-s numër 180 të vitit 2000 që përmenda, që planin ta çojë për miratim në KRTRSH. Ka shkelje të tjera ligjore sepse VKM përcakton procedura shumë të qarta se si ndërhyet në shesh, detyron institucione të veçanta të shtetit, përfshirë këtu edhe Ministrinë e Punëve Publike, Institutin e Monumenteve të Kulturës, Ministrinë e Kulturës të ndërveprojnë për çdo projekt që prek sheshin Skënderbej dhe detyron Bashkëinë e Tiranës që për çdo ndërhyrje të marrë aprovimin e IMK-së. Në rastet kur Bashkia e Tiranës nuk e merr këtë aprovim, ai që vë vulën e fundit është Ministria e Kulturës nëpërmjet Institutit të Mbrojtjes së Monumenteve të Kulturës. Pra kemi një sërë shkeljesh të Bashkisë së Tiranës.

Andrea Stefani: Unë mendoj që ekspozeja e bërë nga ministri nuk është e saktë. Konstatoj me keqardhje që jemi futur po prapë në një ulli konfliktuale dhe jemi në puntatën e dytë të Zogut të Zi.  Është po ai tip konflikti që për mendimin tim pushteti qendror kërkon të fusë hundët dhe të komandojë dhe aty ku me ligj e drejta i takon pushtetit lokal. Gjykata Kushtetuese e përcakton qartë që nuk ka asnjë të drejtë KRTRSH të marrë vendime për projekte të pushtetit lokal, e ka quajtur antikushtetuese për lejet e ndërtimit për objekte të rëndësishme për qendrat e qyteteve, studime urbanistike, të cilat miratohen prej KRT-të e bashkive. S’ka të drejtë KRTRSH-ja t’i shohë. Është me vendimin nr. 29, në vititn 2006, të Gjykatës Kushtetuese.  Unë jam habitur kur kam dëgjuar Ministrin Olldashi që të thotë që ky projekt të shkojë në KRTRSH, sepse e quaj skandal politik që një ministër nuk është i azhornuar me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe bën deklarata të tilla që janë në thelb antikushtetuese. Deklarata që nuk ka leje mjedisore nuk qëndron, pasi ka një mandat pagese për në Ministrinë Mjedisore dhe kjo e fundit e ka arkëtuar këtë.

Po ashtu në emisionin “Opinion” u trajtua gjendja e infrastrukturës rrugore shqiptare në prag të sezonit turistik si dhe se çfarë po ndodh me projektet madhore siç janë Tiranë-Elbasan dhe ai i boshtit të jugut./tvklan.al