Covid-19 lë pas disa sëmundje



Covid-19 lë pas disa sëmundje

16:05 25/05/2020

Sallabanda: Të shëruarit rikthehen me trombozë e miokarditë

Koronavirusi po bëhet shkak për një sërë sëmundjesh tek pacientët që janë prekur dhe e kanë tejkaluar këtë infeksion. Me anë të një interviste në Skype për televizonin Klan doktor Kita Sallabanda, na tregon se në Spanjë pacientet e shëruar nga Covid-19 po rikthehen në spital, por këtë herë me trombozë apo miokarditë.

“Kemi patur të sëmurë me Ishemi Celebrale, të cilët nuk kishin arsye përpara për ta patur këtë sëmundje, me trombozë të enëve të gjakut, kemi patur shumë të sëmurë me miokardite, nga ata që kanë kaluar koronavirusin. Na janë shfaqur të sëmurë me dhimbje muskulare, pa patur një shkak tjetër, që nuk është ajo e koronavirusit, po ashtu kemi patur të sëmurë me një reaksion të fuqishëm inflamator”.

Por çfarë e lidh koronavirusin me këto sëmundje akute?

“Të gjtiha këto sindroma që ne kemi parë, për neve janë të lidhura me reaksionin inflamator, që ka prodhuar organizimi ndaj koronavirusit”.

Edhe pse Covid-19 ka prekur kryesisht moshat e thyera, pasojat e shkaktuara nga ky virus po vihen re tek moshat e mesme.

“Pjesa më e madhe e të sëmurëve janë mbi 40 vjeç, akoma më e madhe mbi 60 vjeç dhe gati 90 % kanë qenë mbi 80 vjeç. Por ne, këto simptoma klinike po i shohim në të sëmurët nga 40 deri në 60 vjeç”.

Kawasaki tek fëmijët po ashtu është një tjetër pasojë e shkaktuar nga koronavirusi. Rastet e të prekurve  prej tij janë regjistruar në të gjithë Europën.

Tv Klan



Të ngjashme