Kanë mbetur vetëm pak javë nga rinisja e programit të vallëzimit në Tv Klan. ‘Dance 7’, shumë shpejt do të sjellë pranë publikut programin më argëtues të çdo jave, me personazhe të larmishme nga fusha të ndryshme të jetës, të cilët do të provojnë dhe sfidojnë veten në një fushë jashtë profilit të tyre.

Produksioni i programit ka nisur nga puna prej disa javësh dhe dalëngadalë po zbulon të gjithë kastin e personazheve pjesëmarrës.

Por edicioni i tetë i këtij programi do të rikthejë në Shqipëri balerinën e famshme shqiptare, Klaudia Pepa, pas disa sukseseve dhe projekteve të reja në Itali, rikthehet pranë publikut shqiptar – mbështetja e të cilit e ka shoqëruar në çdo sfidë të re në Itali e kudo, në çdo hap që ka hedhur.

Së fundi, Klaudia ka qenë protagoniste në “Reverse”, një thriller ligjor, me një grup emrash të njohur të kinemasë italiane. Megjithatë, në këtë sezon të ri televiziv do të rikthehet në Tv Klan, në panelin e jurisë.

Direkt nga tapeti i kuq i Festivalit të Venecias, ku shkëlqeu me stilin dhe elegancën e saj, Klaudia do të fluturojë për të qenë më pranë kolegëve dhe miqve të saj balerinë, por njëkohësisht edhe pranë publikut shqiptar, mbështetja dhe dashuria e të cilit e ka ndjekur hap pas hapi.