Cila do të jetë menuja diplomatike e BE-së

Krerët e qeverive të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor janë njohur paraprakisht me një dokument strategjik të BE-sa për rajonin material që iu paraqit ditë më parë edhe ministrave të jashtëm të 27 shteteve anëtare.

Ky dokument do jetë pjesë e menusë në darkën e organizuar në Bruksel nga shefi i diplomacisë së BE, Joseph Borrell. Sipas burimeve diplomatike evropiane, të cituara nga DW në këtë dokument kritikohet mungesa e vendosmërisë për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, pasiguria në lidhje me dialogun Beograd-Prishtinë si dhe perceptimi i dërgimit të ngadalshëm të vaksinave nga BE në rajon.

Për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, mesazhi është përsëri i njëjti: nuk ka ndarje të negociatave të pranimit që duhet të fillojnë “sa më shpejt të jetë e mundur”.

“BE është e shqetësuar për zhgënjimin në rritje në Ballkanin Perëndimor, për shkak të ngecjeve në procesin e zgjerimit. Kjo është arsyeja pse ne duhet të shikojmë se si të kthejmë ndikimin e humbur në rajon nga i cili po përfitojnë shtete të treta”, ka nënvizuar Borrell. Edhe në takimin e ministrave te jashtëm të BE u fol për “dështimin në angazhimin e BE në Ballkanin Perëndimor”. Në Bruksel thonë se janë të vetëdijshëm për faktin se diskutimet janë gjithnjë e më të ashpra kur bëhet fjalë për politikën e zgjerimit ashtu edhe për politikën e jashtme në marrëdhëniet midis rajonit dhe Brukselit.

Mesazhi kryesor i dokumentit të Borrell është forcimi i pranisë evropiane në rajon, shpeshtimi i vizitave të zyrtarëve të lartë të BE-së dhe vendeve anëtare.

Të gjitha këto mesazhe do të jenë në “menunë” e darkës së gjashtë udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, ku nuk mund të priten rezultate të mëdha. Por mbetet të shihet se cili do të jetë “oreksi” i vendeve anëtare, të cilat duhet të tregojnë unitet politik për përparimin e marrëdhënieve mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Klan News