Kur kanë mbetur vetëm pak ditë për votimin lidhur me hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë për anëtarësimin në BE, Holanda ka dashur të qartësojë qëndrimin e saj për të mos lënë vend për surpriza. Sipas asaj që shkruan media e njohur e këtij shtetit “De Telegraaf”, qeveria ka vendosur të shprehet negativisht për çeljen e negociatave.

“Ne kemi shqetësime serioze në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,”

 thotë ministri i Jashtëm holandez, Het Blok.

“Fillimisht duhet të bëhen më shumë përparime në këto pika”,

 shton ai.

Partitë që kundërshtojnë hapjen e negociatave janë: Partia Popullore për Liri dhe Demokraci e kryeministrit Mark Rutte, Apeli Kristian Demokrat, Unioni Kristian, Partia për Liri e euroskeptikut Geert Wilders dhe partia 50Plus. Ndërsa ato që e mbështesin janë vetëm dy, Partia Demokratike 66 dhe Grooen Links.

Deputeti i Apelit Kristian Demokrat, Van Helvert njeh ndikimin në rritje të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor, por nënvizon se nuk duhet të bëhet pazar me anëtarësimin.

“Nuk ka progres në Shqipëri, për shembull në reformën e gjyqësorit. Gjyqtarët janë shfaqur. Por nga tetëqind gjyqtarët vetëm dhjetë janë testuar. Atëherë nuk mund të thuash: vendi është gati për negociata për anëtarësim”,

 thotë ai.

Ndërkohë, partite holandeze sipas “De Telegraaf”, besojnë se vendet duhet të kujdesen mirë për sundimin e ligjit, qasjen ndaj krimit dhe luftën kundër korrupsionit./abcnews.al