Themelimi i ushtrisë kosovare shkaktoi debate në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Gjatë diskutimit të raportit tremujor për situatën në Kosovë, ambasadorja kosovare në SHBA Vlora Çitaku kritikoi Beogradin për presionin që po ushtron ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb që të mos bëhen pjesë e ushtrisë.

Vlora Çitaku, Ambasadore e Kosovës në SHBA: Asnjë shtet e asnjë qytetar nuk ka të drejtë të vendosë veton mbi forcat tona të armatosura. Këto janë vendime sovrane për një çështje që Kosova do t’a përmbyllë së shpejti.

Në këtë pikë, Çitaku u mbështet plotësisht nga zv/ambasadori amerikan në OKB. Por për ministrin e jashtëm serb Ivica Daçiç, themelimi i ushtrisë minon procesin e paqes mes dy vendeve.

Ivica Daçiç, Ministër i Jashtëm i Serbisë: Është e papranueshme që në këto momente që po zhvillohen bisedime për të gjetur një zgjidhje, sillen vendime të tilla radikale. Kërkoj që Këshilli i Sigurimit të dënojë këtë hap të Prishtinës.

Ndërsa kreu i misionit të OKB-së në Kosovë, Zahir Tanin tha ndër të tjera se paqja e qëndrueshme dhe afatgjate mund të ndërtohet vetëm me përfshirjen e të gjitha shoqërive dhe përfaqësuesve.

Tv Klan