Në një mbledhje që ka zgjatur 4 orë, drejtuesit më të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit, Presidenti Armand Duka dhe zëvendësi i tij Edvin Libohova, informuan zyrtarë të disa klubeve mbi procesin e ndryshimeve në disa ligje me qëllim mbështetjen e sportit. Pas tryezës së zhvilluar disa javë më parë, nën drejtimin e Kryeministrit Rama grupe pune nga Federata kanë diskutuar me përfaqësues nga disa ministri si ajo e Sporti, e Drejtësisë, e Brendshme dhe e Financave.

Në mbledhjen e zhvilluar në Federatën e Futbollit përfaqësuesit e klubeve u njohën se qeveria është dakord të miratojë pjesën më të madhe të ndryshimeve. Por Tv Klan mëson se ka pasur debate të ashpra me përfaqësuesit e Ministrisë së Financave. Është propozuar që bizneset mund të paguajnë në shtet 70% të tatim fitimit nëse vërtetojnë se 30% të tjera i kanë investuar në sport.

Përfaqësuesit e qeverisë nuk e kanë pranuar këtë propozim edhe pse disa vende të rajonit aplikojnë këtë model. Nga ana tjetër është pranuar propozimi për zero TVSH për 5 vite për investitorët në sport, heqja e tatimit mbi të ardhurat personale për të gjithë anëtarët e një shoqërie sportive, si sportistë ashtu edhe pjesëtarë të administratës.

Një propozim që pritet të aprovohet ka të bëjë me privatizimin e klubeve të cilat kërkojnë pronësinë e aseteve si stadiume, apo fusha stërvitore dhe ambiente të tjera me kusht që të mos ndryshohet destinacioni.

Tv Klan