Debati për Kushtetuesen, SHBA: Çojeni në Komisionin e Venecias

Debati për Kushtetuesen, SHBA: Çojeni në Komisionin e Venecias

09:17 21/11/2019

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë në një deklaratë për mediat shprehet se reforma në drejtësi është një nga prioritetet më të larta të saj në Shqipëri.

Pas ngërçit në Gjykatën Kushtetuese, SHBA mbështet dërgimin e kësaj çështje në Komisionin e Venecias në mungesë të një institucioni që do të mund të vendoste mbi interpretimet e palëve.

“Tashmë Shqipëria ndodhet në prag të ringritjes së Gjykatës së saj Kushtetuese, një hap madhor në procesin e reformës në drejtësi. Megjithatë ky përparim i nevojshëm ka ngecur për shkak të interpretimeve të ndryshme ligjore të procesit të emërimit, parashikuar nga kushtetuta shqiptare dhe ligjet për zbatimin e reformës në drejtësi. Institucionet gjyqësore shqiptare, kushtetuta dhe ligjet për zbatimin e reformës në drejtësi, duhet të udhëheqin procesin e zgjidhjes së këtyre interpretimeve të debatuara. Në mungesë të një institucioni të përshtatshëm ligjor, i cili mund të vendoste mbi interpretimet e kundërta, Shtetet e Bashkuara mbështesin çuarjen e çështjes në Komisionin e Venecias, si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor. Gjithashtu, nxisim palët kundërshtuese që të respektojnë opinionin ligjor të Komisionit të Venecias. Ecja në këtë drejtim do të ishte tërësisht në përputhje me aspiratat europiane të vendit”, thuhet në deklaratë.

Më tej, Shtetet e Bashkuara shprehen se do të vazhdojnë t’i qëndrojnë në krah Shqipërisë si një vend mik, partner dhe aleat ndërkohë që ndërmerren këto reforma thelbësore.

/tvklan.al


Grupi
LAJMET
Të ngjashme
Grupi