Vështirësi në qarkullim në disa akse rrugore

Pas zonave Verilindore, dëbora ka përfshirë gjatë natës edhe juglindjen e vendit. Në zonat urbane të Korçës reshjet kanë qenë me intensitet të ulët, ndërsa në zonat malore trashësia e borës ka arritur deri në 10 cm.

Në Dardhë dëbora varion nga 5-10 cm, ndërsa aksi rrugor drejt fshatit turistik është i qarkullueshëm vetëm me zinxhirë. Prej mëngjesit të së mërkurës deri në orët e para të kësaj të enjteje reshjet e dëborës kanë vijuar edhe në qarkun e Dibrës.

Trashësia varion nga 10 cm në qytet deri 25-30 cm në zonat e thella. Prania e dëborës si dhe ngricat e shkaktuara nga ulja e temperaturave ka sjellë probleme në qarkullimin e mjeteve në rrugën nacionale Klos – Bulqizë.

Në afërsi të vendit të quajtur “Qaf Dushk” katër makina u përplasën me njëra-tjetrën për shkak të ngricës në asfalt por fatmirësisht pa dëme në njerëz.

I nevojshëm përdorimi i zinxhirëve është në rrugën Peshkopi-Kukës dhe Peshkopi – Qafë Draj ku gjithashtu përveç borës në orët e para të mëngjesit ka patur edhe prani të akullit.

Tv Klan