Delegacioni i Bashkimit Europian ka reaguar pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama për kanabisin mjekësor, duke thënë se Komisioni Europian dhe stafi diplomatik i BE në Tiranë nuk janë përfshirë në asnjë konsultim me qeverinë.

Në një reagim në Twitter, delegacioni i BE sqaron se nuk kanë dijeni për legalizimin dhe kultivimin e kanabisit në Shqipëri për qëllime mjekësore.

“Pas kërkesave të disa mediave, ne duam të sqarojmë se Komisioni Evropian dhe Delegacioni i BE nuk kanë qenë të përfshirë në përgatitjen, hartimin ose konsultimin e draft raporteve në lidhje me planet për kultivimin dhe legalizimin e kanabisit në Shqipëri për qëllime mjekësore”, thuhet në reagim.

Gjatë ditës së sotme, Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria është duke përfunduar draftin që mundëson legalizimin e kanabisit për përdorim mjekësor.  Kryeministri deklaroi se për të është marrë dhe opinion i ndërkombëtarëve.

Ne nuk bëjmë asnjëherë një punë të pakonsultuar me ekspertë vendas dhe të huaj, dhe ekspertët e huaj të nivelit më të lartë. Kështu që dhe për këtë draft kemi konsultuar ekspertë të huaj, ekspert tanët. Ne nuk kemi ardhur këtu të shpikim asgjë, kemi ardhur këtu të mësojmë sa më shumë nga të tjerët dhe të adaptojmë mësimet tona nga të tjerët në kushtet e Shqipërisë”, deklaroi Kryministri Rama gjatë ditës së sotme në konferencën e përbashkët me ambasadorin e BE, Soreca.

Për këtë draft të qeverisë reagoi dhe Lulzim Basha duke thënë se po shfrytëzohet kanalizimi i vendit për të blerë zgjedhjet. /tvklan.al