Një ditë pas stuhisë që përfshiu të gjithë vendin, fermerët në Elbasan dhe Korçë janë ndër më të dëmtuarit. Ata thonë se kanë humbur të gjithë kulturat bujqësore me të cilat sigurojnë mbijetesën.

Prodhimet ishin në kohën e tyre më të mirë. Por breshëri i pazakontë i së hënës u dëmtoi të mbjellat fermerëve në fshatin Gur i Zi dhe Labinot Mal të Elbasanit. Më të prekurat janë perimet, por edhe mollët dhe rrushi.

Kreu i njësisë administrative Labinot Mal, Ruzhdi Pisha tha se do të ndiqen të gjitha procedurat që fermerët të dëmshpërblehen.

Një zonë tjetër e dëmtuar nga reshjet intensive të shiut dhe breshërit është dhe Korça. Kulturat bujqësorë u dëmtuan rëndë në fshatrat Porodinë dhe Goskovë.

Në Goskovë aty, ku përroi i fshatit doli nga shtrati duke marrë përpara makina e biznese, banorët po nxjerrin jashtë baltën. Në dispozicion të tyre janë vënë edhe disa automjete.

Sinoptikanët thonë se deri të premten, vranësirat dhe shirat shfaqen kryesisht në pjesën e dytë të ditës në Veri dhe zonat Lindore e Juglindore. Ditët e mbetura të Korrikut do të shënojnë temperatura normale për stinën ndërsa pritet një rritje e tyre në fund të muajit.

Tv Klan