Miklar Tola është dëshmitari i drejtësisë që ka dëshmuar kundër Faik Bucit dhe Shkëlzen Bucit duke i akuzuar për vrasjen e Eglantina Bucit. Sipas tij, vrasja ishte organizuar nga babai Faik Buci dhe ishte kryer nga vëllai Shkëlzeni.

Zbardhja e ngjarjes që tronditi opinionin publik u bë në Shtator 2020. Por Faik Buci mohon që të ketë vrarë vajzën e tij.

Në një intervistë ekskluzive nga burgu për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, Faik Buci është pyetur se çfarë lidhje ka ai me Miklar Tolën, dëshmitarin e drejtësisë.

Ai shprehet se me Miklarin nuk ka asnjë lidhje, por djali i tij Shkëlzeni.

“Miklar Tola është i lidhur me djalin tim dhe jo me mua, e para. E dyta, Miklar Tola ka qenë i padëshiruar për familjen time. Sepse është një trafikant, një tutor dhe një përdorues droge. Prandaj është i padëshiruar për familjen time. Me sa di unë, me mua Miklar Tola s’ka pirë një kafe, në shtëpinë time s’është futur… dhe ai u bë dëshmitar drejtësie në momentin që ka marrë pjesë në 2 vrasje dhe vrasjen e dytë, gjoja ngaqë është bërë i penduar, dëshmitar i drejtësisë, duke përdorur emrin tim dhe që qenka penduar për vrasjen që është bërë”.

Faik Buci shprehet se nuk e ka pranuar në asnjë moment vrasjen e vajzës së tij Eglantina, eshtrat e së cilës u gjetën të groposura pas malit të Dajtit në vitin 2012.

“Unë e deklaroj me përgjegjësinë time, që nuk kam pranuar krim, nuk më është komunikuar dhe nuk jam marrë në pyetje as nga oficerët e policisë gjyqësore dhe as nga prokuroria. Dhe përfundimisht jam dërguar në burg pa asnjë lloj… thjesht më është komunikuar që akuzohesh, i dyshuar, akuzohesh për vrasje, vërtetoje në gjykatë, më ka deklaruar Klodian Kondi, oficer i policisë gjyqësore. Në 2017 kanë hapur hetimet ndaj meje, 3 vjet e 4 muaj dhe në 2020 arrestohem unë dhe më thonë të kujtohet në 2017 që çfarë të kam thënë? Që mbaje mend çfarë do të të bëj. Klodian Kondi bashkë me Ilir Bajraktarin. Dhe në 2020 kur unë arrestohem, më thotë burg përjetë do kesh. Si mund të bëhet dëshmitar drejtësie një person që ka marrë pjesë në 2 vrasje. Duke përdorur emrin tim, shpëton 10 vjet burg për veten. A mundet ta bëjë një gjë të tillë drejtësia”? /tvklan.al