Në terren 250 punonjës policie, 10 të arrestuar në Shqipëri. Sekuestrohet një gomone në Vlorë

Në përditësim: Në operacionin antidrogë të realizuar në Itali ka marrë pjesë edhe Policia Shqiptare. Burime thonë se në terren kanë qenë rreth 250 punonjës policie, të cilët shkatërruan një grup të strukturuar kriminal, që kryente trafik të lëndëve narkotike.

Operacioni nisi nga Prokuroria e Barit, Drejtoria Hetimore Antimafia Bari në skuadër të përbashkët me SPAK dhe Policinë e Shtetit. Ai u zhvillua në të njëjtën kohën në Itali e Shqipëri. Në Shqipëri, operacioni u shtri në qytetin e Vlorës dhe në Tiranë.

Nga Policia e Shtetit mësohet se gjatë orëve të para të mëngjesit janë kapur 10 pjesëtarë të grupit kriminal, veprimtaria e të cilit dyshohet se ka nisur që prej vitit 2015.

Në zonën e Triportit në Vlorë u gjet dhe u sekuestrua një gomone që dyshohet se është përdorur nga ky grup për trafikun e drogës.

Gjatë operacionit në fjalë janë sekuestruar prova të shumta materiale.

Klan Plus