Banorët e Tihuanës u përplasën me policinë meksikane, gjatë protestës kundër emigrantëve nga vendet e Amerikës Latine.

Në duar mbanin parulla ku shkruhej “Jo pushtimit”. Qyteti meksikan ndodhet në kufirin veri-perëndimor me Shtetet e Bashkuara. Atë e ndan një mur kufitar nga qyteti amerikan i San Diegos. Për shkak të kësaj afërsie të madhe, karvanët me emigrantë nga Amerika e Jugut po dynden drejt këtij qyteti, me shpresën për të vijuar rrugëtimin për një jetë më të mirë në Shtetet e Bashkuara. Por banorët protestojnë, pasi thonë se ai që e konsiderojnë si “ortek” emigrantësh, ka tejmbushur të gjitha shtëpitë e pritjes në Tihuanë. Pritet që në ditët në vijim të vijnë mbi 10 mijë emigrantë, çka rrezikon t’a zhysë qytetin me 1 milionë banorë në kaos.

Nuk dihet ende se sa do të zgjasë situata, pasi ata janë të vendosur të vazhdojnë rrugëtimin drejt Shteteve të Bashkuara. Ndërsa Uashingtoni ka blinduar kufijtë me ushtri. Presidenti Trump ka paralajmëruar se ushtria amerikane mund t’i qëllojë, nëse ata dhunojnë kufirin amerikan.

Tv Klan