5 shtatori shënon Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës dhe në katedralen katolike në Tiranë kanë nisur përgatitjet për kremtimin e saj. Studioja lëvizëse e programit “Aldo Morning Show” në Tv Klan është ndalur në oborrin e kishës ku ndodhet edhe shtatorja e misionares, për t’u takuar me arqipeshkëvin Arjan Dodaj.

Ai tregon se ditën e mërkurë ka qenë edhe prezantimi i disa librave pasi përkojnë edhe me 45-vjetorin  kur Nënë Tereza është nderuar me çmimin Nobel për paqen. Në këtë periudhë të trazuar që jetojmë, mësimet e humanitares janë një këmbanë që zgjojnë njerëzit. Sipas imzot Dodajt, ajo që duhet të marrim nga Nënë Tereza është aftësia për të jetuar jetën dhe krijuar përvoja.

Arjan Dodaj: Duhet të marrim nga Nënë Tereza aftësinë e saj për të jetuar jetën. Brezi i ri sot nuk po e jeton jetën. Nëse ne ndalemi e flasim me të rinj: “po kush është një përvojë që ka shënuar ekzistencën tënde, q  të ka bërë të amrrësh një vendim?” e ti do të shohësh që shumë të rinj për mos të marrë vendime humbin përvojat, hiret e bekimet që kanë. Largohen, shmangen nga sprova, nga sfidat. Nënë Tereza u ka bërë ballë sfidave, përkundrazi, ndoshta i ka kërkuar në atë kohë të vështirë, ka shkuar në Indinë e largët por pastaj nga aty është kthyer triumfuese dhe ne e kremtojmë sot sepse ka ditur me të vërtetë ta jetojë jetën edhe në situatat e saj plot qoshe, kuja, maja e vështirësi.

Imzot Dodaj shton se virtyti më i madh që ka treguar Nënë Tereza është të dhënit nga ajo çfarë kemi. Misionarja lejoi që të udhëhiqej nga besimi dhe përmes tij, të ndiqte misionin e saj të jetës i cili është i përcaktuar për të gjithë.

Arjan Dodaj: Asgjë nuk është rastësi. Ajo thotë “unë jam një laps në dorën e Zotit”, ka lejuar që Zoti të shkruajë gjëra të mëdha,  poemën më të bukur nëpërmjet jetës, jo nëpërmjet një libri. Nënë Tereza është një libër i hapur e disa thonë se është ungjilli i pestë se është ungjilli i dashurisë. Ajo ka lejuar që Zoti të shkruajë gjëra të mëdha me të.

Aldo: Po thua që secili nga ne ka një mision?

Arjan Dodaj: Asnjë në këtë jetë nuk vjen pa një mision dhe mjerë njeriu që këtë jetë që nuk përsëritet më, ndonjëherë ne e shohim jetën nga stoli, shohim ndeshjen që bëjnë të tjerët, por ne jemi të gjithë të  thirrur të futemi në fushë e të bëjmë pjesën tonë. Po s’e jetuam siç e jetoi Nënë Tereza, secili me dinamikat, me situatat, me kontekstin historik që po jeton, atëherë do të thotë që kemi falimentuar. Është një abort edhe po vdiqëm 120 vjeç./tvklan.al