“Jo vetëm modë” është rikthyer si çdo të dielë në Televizionin Klan nën drejtimin e moderatores Orinda Huta.

E ftuar në këtë program ka qenë ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jagjaga, e cila ka treguar më shumë për projektet e saj si dhe ka ndarë disa detaje përsa i përket eksperiencës së saj si presidente e Kosovës.

Atifete Jahjaga: Jemi shoqëri goxha maskiliste.Që jemi goxha patriarkalë, po është shumë e vërtetë dhe unë e di më së miri në lëkurën time se çfarë kam përjetuar që të jesh gruaja e parë presidente, jo vetëm në Kosovë, por edhe në këtë pjesë të Europës Juglindore apo të Ballkanit Perëndimor dhe të jesh më e reja sepse unë kam qenë vetëm 35 vjeçe kur jam zgjedhur si presidente e Republikës së Kosovës dhe në këtë mënyrë barra në shpinën time ka qenë shumë e madhe sepse në njërën anë unë kam përfaqësuar 51% të shoqërisë së Kosovës që kanë qenë gra dhe kam përfaqësuar 61% të shoqërisë së Kosovës që janë djemtë dhe vajzat e Kosovës nën moshën 30-vjeçare.

E pyetur nga Orinda Huta, ish-presidentja e Kosovës ka treguar që edhe pse është përkushtuar në projektet e saj, asnjëherë nuk i dihet dhe ndoshta mund t’i japë ndonjë shans politikës, duke shtuar se kudo që të ndodhet fokusi i saj do të jetë në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Kosovës.

Orinda Huta: E ke lënë përfundimisht apo…

Atifete Jahjaga: Orinda, po. Ka qenë vendim i imi që unë të mos vazhdoj për mandatin e dytë për shumë arsye sepse unë besoj fuqishëm që është një moment dhe është një kohë që ne, politikanët dhe elitat politike duhet t’i themi vetes “mjaft” dhe kaq mjafton dhe duhet t’i lëmë vend ideve të reja, vizionit të ri dhe sidomos të rinjve. Unë kam dhënë një premtim në ditën e parë që jam zgjedhur si presidente e Kosovës, të njëjtin premtim e kam dhënë edhe kur e kam dorëzuar mandatin, që kudo që të jem unë do të jem një ushtar për mbrojtjen e Kosovës.

Orinda Huta: Pra, përfundimisht nuk do të kemi një rikthim tëndin?

Atifete: Nga përvoja e jetës është që asnjëherë nuk duhet thënë asnjëherë, por kudo që të jem unë do të jem në interesin e qytetarëve të Kosovës./tvklan.al