Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për 4 anëtarët e grupit kriminal që kishin planifikuar vrasjen e Xhevdet Plakut më 17 shtator 2019. SPAK ka kërkuar 29 vite e 6 muaj burg ne total për 4 persona, porositësin Rexhep Rapin i njohur dhe si “Kep Arapi”, nipin e tij, Algert Rapin, ish-shefin e Krimeve në Policinë e Shtetit Dedan Gjoni dhe Dejvi Gjermenin. Për Kep Arapin kërkohet dënimi me 7.6 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar konvertohet në 5 vite heqje lirie. Për Algert Rapin kërkohet 7.4 vite burg, por do të vuajë 4 vite e 8 muaj burg për shkak të gjykimit të shkurtuar.

E njëjta masë dënimi i kërkuar për Dedan Gjonin, ish-shefin e Krimeve në komisariatin nr. 6 dhe Dejvi Gjermenin, 7.4 vite burg, ndërsa me gjykim të shkurtuar kërkon 4.8 vite burg. Mbi katër anëtarët e këtij grupi rëndojnë 3 akuza.

Ky hetim i SPAK nisi mbi bazën e informacionit të përcjellë nga Prokuroria e Rrethit Limburg, Holandë. Vrasja e Xhevdet Plakut ishte planifikuar të realizohej më datë 17 shtator 2019, në Durrës, kur ai ishte shoqëruar në komisariat nga oficeri i policisë Dedan Gjoni, me pretendimin se përdorte makinë të blinduar. Atë ditë ai ka dalë nga komisariati në orën 20:10 të mbrëmjes nga dera e pasme.

Sipas SPAK Dedan Gjoni ka njoftuar në Whatsapp Dejvi Gjermenin. Ky i fundit kishte sinjalizuar Algert Rapin dhe Kep Arapin, që kishin organizuar me njerëzit e tij kryerjen e vrasjes Xhevdet Plakut.

Atentati dështoi pasi Dejvi Gjermeni kishte frikë se mos zbulohej pasi oficeri i policisë Dedan Gjoni e kishte lajmëruar në aplikacionin Whatsapp dhe jo në Sky ecc. Kep Arapi kërkonte të ekzekutonte në shenjë hakmarrjeje Xhevdet Plakun, për shkak se e akuzonte si autor të vrasjes së vëllait të tij, Sali Rapi, në vitin 2000 në Savona të Italisë.

Klan News