Debatet presidenciale kanë rëndësi në politikën amerikane, por ai që pritet të mbahet mes Kamala Harris dhe Donald Trump ka më shumë për shkak të një gare të ngushtë mes dy kandidatëve për president. Për këtë arsye për median prestigjzoe BBC gara e ngushtë nënvizon rëndësinë e debatit, ku edhe ndryshime të vogla në humorin e elektoratit mund të vendosin për fitoren ose humbjen e njërit ose kandidatit tjetër.

Për Harris, përballja në Filadelfia i jep asaj një mundësi për të nxjerrë në pah detajet e politikave të saj para një audience shumë të madhe. Më shumë se një e katërta e votuesve të mundshëm mendojnë se nuk dinë ende mjaftueshëm për të, në ndryshim nga Trump.

Debati i televizionit kombëtar i ofron gjithashtu Harris, një ish-prokurore, një shans për të sjellë në vëmendje betejat ligjore me të cilat përballet Trump dhe për mbështetjen e hapur të tij për të dënuarit për sulmet e 6 janarit 2021, vit kur mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën e Kapitolit në shenjë proteste kundër humbjes së Trump në zgjedhjet presidenciale.

Demokratja Harris përdor një taktikë për t’i kthyer debatet në favor të saj duke thënë se është e lumtur t’i përgjigjet një pyetjeje ndërsa mbledh mendimet e saj për të shpjeguar një pozicion të ri apo për të mbrojtur një qëndrim. Megjithatë kjo përballje nuk është pa rreziqe për të. Edhe pse ajo është përpjekur të prezantohet si kandidatja për ndryshim në këto zgjedhje, moderatorët dhe ish-presidenti Trump ka të ngjarë ta shtyjnë atë për të mbrojtur politikat e administratës Biden, veçanërisht për çështje të rëndësishme si siguria kufitare dhe inflacioni ku shumë amerikanë janë të pakënaqur.

Ajo gjithashtu do të duhet të shpjegojë pse ka hequr dorë nga disa nga politikat më liberale që mbështeti gjatë garës së saj të pasuksesshme për të përfaqësuar Partinë Demokratike në zgjedhjet presidenciale të 2020. Përballë Harris do të ketë një politikan të sprovuar si Trump, për të cilin ky do të jetë debati i 7-të për zgjedhje të përgjithshme presidenciale që nga viti 2016.

Ndërsa vetë Trump do të ketë një përballje më të fortë se ajo që pati me presidentin Joe Biden gjatë muajit qershor. Harris pritet të jetë një kundërshtare më e shkathët dhe përgjigjiet e saj do të duhet të jenë më të mprehta. Gjatë një forumi ekonomik në Nju Jork javën e kaluar, Trump nuk ishte në gjendje të ofronte një shpjegim të qartë për politikat e tij të kujdesit për fëmijët. Një ngërç i tillë verbal gjatë debatit do t’u jepte epërsi demokratëve.

BBC thotë se Trump duhet të jetë i kujdesshëm me zëvendëspresidenten. Nëse ai shfaqet si dominues ose nënçmues, ai mund të mos sigurojë mbështetjen e nevojshme nga votueset gra.

Do të jetë hera e parë që të dy kandidatët takohen dhe pason sulme personale prej javësh ndaj Harris nga Trump dhe aleatët e tij që kanë përfshirë fyerje raciste dhe seksiste. Një  sulm personal në debat mund të largojë votuesit e pavendosur, sipas John Geer, një profesor në Universitetin Vanderbilt dhe një ekspert në politikën presidenciale. Këshilltarët dhe kolegët republikanë të Trump i kanë kërkuar atij që të fokusohet të martën në imigracionin e paligjshëm dhe të shmanget nga sulmet personale.

Ndërkohë, dy kandidatë kanë bërë edhe përgatitjet e tyre të fundit për debatin.

Harris është duke u përgatitur në Pittsburgh që nga e enjtja, duke improviziuar një debat në një skenë me drita për të rikrijuar mjedisin e debatit. Philippe Reines, një ish ndihmës i Hillary Clinton, po bën rolin e Trump. Nga ana tjetër, ish-presidenti Trump ka bërë biseda jozyrtare me këshilltarë, dhe ka dhënë intervista të shumta në media.

Debati i organizuar nga ABC News zhvillohet vetëm tetë javë përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit. Vetëm disa ditë pas debatit do të nisë votimi i parakohshëm në disa shtete.

Klan News