Tvklan.al ka siguruar dokumentin e Prokurorisë ku përmenden identitetet e rremë të deputetëve Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica që kanë përdorur në të kaluarën në Itali.

Ditën e martë Prokuroria e Përgjithshme depozitoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një kërkesë për heqjen e mandatit për dy deputetët Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica.

Në kërkesën e organit të akuzës thuhet se deputeti i PDIU dhe ai i LSI, nuk kanë deklaruar në formular emra të tjerë, të cilët i kishin përdorur në Itali ku rezultojnë të arrestuar për vjedhje.

Dokumenti

Në dokumentin zyrtar bëhet me dije se deputeti Aqif Rakipi është raportuar më datë 03.11.1998 për veprën penale të marrjes së mallrave të vjedhura  me gjeneralitetet SKËNDER EJYLBEGAJ, lindur me 24.03 1962, regjistruar më 08.10.199 me gjeneralitetet Aqif Rakipi, lindur me 01.04.0964.

Sipas Prokurorisë deputeti Aqifi nuk e ka deklaruar këtë informacion në formularin e vetëdeklarimit.

Ndërsa përsa i përket deputetit  Gledion Rehovica Zyra Qendrore Kombëtare Interpol ka informuar organin e akuzës së nga Interpol/Roma/ Itali pas krahasimit të gjurmëve të gishtave ka rezultuar se deputeti Gledion është raportuar më datë 27.02.1999, për veprën penale “Vjedhje dyqani” me gjeneralitetet Kusta Mina lindur më 21.12.1978 në Shqipëri.

Komisioni Qendror  i Zgjedhjeve do të mblidhet në datën 3 Janar të 2018 për të diskutuar lidhur me kërkesën e Prokurorisë./tvklan.al