Ditën e sotme ka nisur viti i ri akademik. Rreth 20 mijë studentë i janë drejtuar për herë të parë auditoreve të universiteteve.

Këtë vit të ri akademik ka një rritje të lehtë të numrit të studentëve krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave rezulton se degët e gjuhëve të huaja, disa programe të lëndëve ekzakte dhe ato të mësuesisë kanë shumë pak regjistrime.

Nisjen e vitit të ri akademik e uroi edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu. Nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Manastirliu ka bërë urimin së bashkë me studentë të rinj, të cilët po hyjnë në këtë fazë të rëndësishme të jetës së tyre akademike.

“Së bashku me studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, që hyjnë këtë vit në vit të parë dhe me shokët e tyre që tashmë kanë nisur universitetin, dua t’ju uroj suksese mbi 20 mijë studentëve të cilët nisin sot këtë rrugëtim drejt dijes dhe formimit të së ardhmes së tyre. Gjithashtu, dua të uroj stafin akademik dhe prindërit për rrugëtimin që nisin sot fëmijët tanë”, tha në urimin e saj Ministrja Manastirliu./tvklan.al