Draft-opinioni i Venecias, Meta nuk e komenton: Mbi dokument ka pasur një konfidencialitet


Draft-opinioni i Venecias, Meta nuk e komenton: Mbi dokument ka pasur një konfidencialitet

19:36 07/03/2020

“Gjykata Kushtetuese çështje e drejtësisë”

Nga Shkodra ku po ndjek derbin Vllaznia-Tirana në basketboll për meshkuj, Presidenti Ilir Meta nuk e komentoi draft opinionin e Komisionit të Venecias, për shkak se siç tha, mbi dokument ka patur një konfidencialitet. Megjithatë, kreu i shtetit tha se Kushtetuta është e shkruar nga vetë Komisioni i Venecias, e për këtë arsye çështja e Gjykatës Kushtetuese sipas tij është e drejtësisë.

Nuk mendoj se kjo është çështje e Venecias sepse Kushtetutën e Shqipërisë Venecia e ka shkruar. Kjo ka qenë dhe mbetet prej 115 ditësh një çështje e drejtësisë, e hetimit, që të bëjë veprimet e duhura që askush në Shqipëri të mos dalë mbi Kushtetutën dhe ligjin”.

“Nuk e komentoj sepse mbi dokument ka pasur një konfidencialitet, por unë ua kam thënë që më parë, që Kushtetutën tonë, sidomos Gjykatën Kushtetuese e ka shkruar vetë Venecia”, tha Presidenti Meta.

Të premten, në Tiranë mbërriti një draft paraprak i opinionit të Komisionit të Venecias që po shqyrton ngërçin e krijuar pas emërimeve në Gjykatën Kushtetuese. Në paragrafin 104 të këtij draft-opinioni thuhet se veprimet e Presidentit të Republikës janë përgjithësisht në përputhje me një interpretim racional të Kushtetutës. Burime nga Presidenca thanë për Televizionin Klan se ky është vetëm një paragraf nga drafti, i cili pritet të publikohet i plotë në 22 Mars.

Edhe kreu i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla, në një reagim mbrëmjen e së premtes, tha se për këtë draft u është kërkuar të ruajnë në mënyrë strikte konfidencialitetin dhe të mos bëjnë asnjë koment, pasi drafti është dërguar për t’u konsultuar dhe komentuar nga palët. /tvklan.al




Të ngjashme