Kryeministri Edi Rama ka falenderuar ironikisht Presidentin rus Vladimir Putin, duke “thumbuar” Bashkimin Europian për qëndrimin që mbante Brukseli ndaj Ballkanit përpara luftës në Ukrainë.

Duke folur në forumin e sigurisë GLOBSEC 2024 që mbahet në Pragë në temën “Rajoni nën rrethim: Brishtësia e Ballkanit Perëndimor”, Kryeministri Rama u shpreh se Bashkimi Europian e kuptoi rëndësinë e Ballkanit Perëndimor pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

“Duhet të falenderoj Putinin sepse falë tij BE e kuptoi që ta mbante pranë Ballkanin Perëndimor. Është diçka fatkeqe që na duhej Vladimiri për ta bërë të qartë këtë gjë në mënyrën më kriminale.

Sa i përket pjesës së BE, kishte shumë njerëz në union që besonin aspak në atë çka në mënyrë të përsëritur e thonin si moto që Ballkani duhet të jetë në BE, vendi juaj është në BE, duke e bërë njësoj si komunistët njëherë e një kohë që na thonin se vendi ynë është në parajsën tokësore, horizonti ynë është atje, një ditë do mbërrijmë, e sigurisht realiteti goditi fort.

Lufta në Ukrainë tronditi tërësisht status quon dhe BE nisi të ndërgjegjësohej gjithmonë e më shumë se sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor për sigurinë e Europës. Ursula von der Layen luajti rol thelbësor për këtë duke qënë se ajo që prej ditës së parë u përpoq të riformësonte mesazhin që përcillej”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

/tvklan.al