Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në Facebook ku diskutohet për planin e qeverisë së drejtuar prej tij për dy satelitët që Shqipëria planifikon të lëshojë në hapësirë.

Në këtë video të Kryeministrit Rama evidentohet se satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” do të lëshohen në hapësirë përkatësisht në muajt Mars dhe Qershor të vitit 2022.

Kryeministri Edi Rama: Pra jemi këtu.

-Po, ky është lëshimi i Spacex Falcon 9, që u bë në Qershor. Lëshuam katër satelitë gjatë tij. Lëshuam satelitin Mark 4, variantin 17, 18, 19, që është modeli i ri. Kjo që po shihni është lëshimi në orbitë.

Kryeministri Edi Rama: Domethënë, Albania 1 kur do të jetë gati? Në Mars?

-Po, në Mars do të lëshohet. Do duket kështu si kjo. Do të filmojmë një video dhe gjëja tjetër që do të shohim pas shkëputjes do të jetë vendosja e satelitit në orbitë.

Kryeministri Edi Rama: Po Albania 2? Në Qershor…

-Saktë…

Kryeministri Edi Rama: Super.

-Kjo është pamje e orbitës ku do lëshohen.

Kryeministri Edi Rama: Shqipëria në orbitë. E pabesueshme, por e vërtetë.

-Po, zotëri.

ÇFARË DEKLAROI KRYEMINISTRI RAMA NË PARLAMENT NË SEANCËN E DATËS 14 TETOR:

Do blejmë drona, do çojmë dhe satelitë në orbitë. Qeshni, kur të shikoni satelitët Shqipëria në orbitë dhe jo në mandatin tjetër, vitin tjetër, Albania 1, Albania 2, në orbitë. Do t’i çojmë dhe ato sepse për ne ky vend nuk është tokë e xanun dhe zhvillimi nuk është që 7 mrekullitë pati bota dhe 8-ën na e sollët ju siç tha ai i foltores bëtë të mundur ndërtimin e parë pa leje të një qyteti të tërë. Kjo ka qenë pretendim për t’u futur si mrekullia e 8 e botës.

Na keni lënë një situatë që do kohë e durim për të pastruar këtu, për të pastruar atje, por ne shohim shumë larg. Po ju them prapë, jo vetëm dronat, dronat po e po, por edhe satelitët në mënyrë që kontrolli mbi territorin, mbi trafiqet, kontrolli mbi kufijtë, kontrolli mbi gjithçka të kalojë në nivelin e teknologjisë dhe të hiqet nga duar e atyre që kontrollojnë me sy që në atë pikë nuk është se dallojnë shumë me njëri-tjetrin. Kur vjen puna inspektorët aty me virus janë edhe ata që kishit ju edhe ata që kemi pasur ne, ata kanë virusin nuk diskutohet. Sa më shumë t’i heqim atyre kontrollin e jetës së bizneseve, e jetës së vendit aq më mirë do jetë.  Prandaj sytë për të kontrolluar do t’i çojmë në qiell dhe do i kontrollojmë nga qielli. Ju qeshni sepse të qeshurën e keni program partie. Edhe pse sot për herë të parë jeni në kushtet ku qeshni se nuk qani dot, prapë ju vazhdoni qeshni, nuk ka problem”.  

/tvklan.al