Kukësi dhe Dibra tronditen nga tërmetet

Kukësi dhe Dibra tronditen nga tërmetet

15:05 19/01/2020

Nuk raportohen dëme materiale dhe as të lënduar

Frika e lëkundjeve është rikthyer sërish në vend, dy muaj pas tërmetit katastrofik të 26 Nëntorit. Lëkundjet janë ndjerë në mesditë në veri të vendit, në Kukës e Dibër.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, tërmeti i parë është regjistruar në orën 13:38 minuta me magnitudë 3.8 Rihter, me epiqendër në Krej Lurë të Dibrës.

Tërmeti i dytë është regjistruar 14 minuta me vonë, me magnitudë 4.1 i shkallës Rihter, ku epiqendra ishte në Pregj Lurë. Lëkundjet kanë zgjatur pak sekonda dhe janë ndjerë në dy bashkitë e Dibrës e Kukësit.

Nga shtabet e emergjencave të Ministrisë së Mbrojtjes nuk raportohet të ketë dëmtime në banesa apo të lënduar, edhe pse banorët e zonave të Dibrës e Kukësit kanë ndjerë frikën e lëkundjeve.

Në 26 Nëntor një tërmet me pasoja katastrofike i mori jetën 51 banorëve të Durrësit e Thumanës, duke lënë pas një bilanc me qindra pallate e banesa të dëmtuara.

Tv Klan



Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Grupi