Bayern Munich nuk bindet, refuzon ofertën e dytë nga Barcelona

Misioni për të arritur te Robert Lewandowski sa vjen e bëhet më i vështirë për Barcelonën. Sipas tabloidit gjerman “Bild” Bajerni i Mynihut ka refuzuar ofertën e dytë për 33-vjeçarin polak nga skuadra katalanase.

Duke iu referuar këtyre burimeve, Barcelona ishte gati të paguante 40 milionë Euro për kartonin e tij, plus 5 të tjera që do të shkonin në formulën e bonusit. Një total prej 45 milionë Eurosh për një futbollist që vitin e ardhshëm i skadon kontrata në Bavari, por që nuk bind Bajernin, i cili kërkon 50 milionë Euro.

Pavarësisht se kampionët e Gjermanisë vijojnë të mbeten hermetikë dhe nuk lejojnë largimin e sulmuesit, Lewandowski është i destinuar për t’i dhënë lamtumirën skuadrës me të cilët ka fituar gjithçka.

Shpesh në garë për shërbimet e tij ka hyrë edhe Paris Saint-Germain, por polaku i mbetet besnik dëshirës për të veshur fanellën e Barcelonës  dhe nuk do të heqë dorë nga synimet e tij. Lewandowski dëshiron të luajë një ditë në “Camp Nou” dhe këtë shpreson ta bëjë duke nisur nga sezoni i ri.

Klan News