E DIELA SHQIPTARE – EMISIONI 26 (SEZONI 11)

E DIELA SHQIPTARE – EMISIONI 26 (SEZONI 11)

20:30 24/03/2019

Talk Show

nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

Dy histori të ngjashme të lindura në Facebook por njëra e përfunduar dhe tjetra në zhvillim. Esmeralda është martuar me Erjonin pasi janë njohur në rrjetet sociale dhe së shpejti presin të bëhen prindër. Por gjatë kësaj pritje të ëmbël një person i tretë po e “hidhëron” lumturinë e tyre.

Esmeralda: Unë me Erjonin jam njohur në Facebook për ditëlindjen e Erjonit, në datën 3 Shkurt të vitit 2018 ai kishte postuar në rrjetet sociale: “Kam ditëlindjen sot, kush më uron?” dhe unë e urova, pastaj ai dërgoi ftesë ja pranova dhe nuk i shkruajta. Në datën 16 Shkurt jemi takuar për herë të parë në Lezhë. Pas një javë u takuam përsëri dhe më tregoi historinë e tij. Ai është fejuar një herë. Unë mendova se po më gënjente, nuk e besova. Ashtu si më ka njohur mua edhe atë e ka njohur në Facebook, por ai jepte besimin e tij. Aty vendosi Erjoni të vinte në shtëpi dhe të më kërkonte, tregonte çdo gjë, nuk mbante sekrete, por mami nuk ishte dakord, sepse kishim besime të ndryshme unë katolike ai mysliman. Familja nuk ishte dakord. Unë isha 17 vjeçe, por dashuria nuk njeh moshë. Unë vendosa të ikja nga shtëpia me Erjonin, ishte një vendim i përbashkët. Erjoni ishte 23, ndërsa unë 18. Në 3 Maj bëra 18 dhe të nesërmen ika se kishim frikë mos na denonconte familja ime. Gjithë natën rrinim pa gjumë deri vonë.

Ardit Gjebrea: Në momentin që një familje nuk i kthehet vajza në shtëpi deri në darkë, çfarë ndodh?

Esmeralda: Ata më merrnin në telefon, unë nuk i përgjigjesha, në darkë i hap motrës telefonin e cila është e martuar edhe i them mos më kërko, jam tek Erjoni. Ju e dini se ku jam, mos u mërzisni. Ajo më tha hajde, por unë i thash nuk vij.

Ardit Gjebrea: Mjaltë kishte ky Erjoni?

Esmeralda: Mjaltë duhet të kishte, përderisa më tërhiqte aq shumë, sepse ne i premtuam njëri-tjetrit edhe nëse nuk do familja.

Ardit Gjebrea: E kuptova, po nuk u ktheve në shtëpi.

Esmeralda: Jo nuk u ktheva.

Ardit Gjebrea: Bëtë dasmë?

Esmeralda: Po, dasmën e kemi bërë. Familja ime nuk pranoi, por me familjen e Erjonit e bëmë në datën 16 Dhjetor, në ditën kur jemi takuar për herë të parë me njëri-tjetrin.

Por jo gjithçka ka shkuar mirë për Esmeraldën dhe Erjonin, ajo tregon se ata nuk janë të qetë nga ish e fejuara e tij.

Esmeralda: Ngaqë Erjoni ka qenë i fejuar kanë nisur disa konflikte, sepse ish e fejuara është shfaqur prapë më shkruan ik nga aty se jam unë pjesë e Erjonit. Ajo ka nisur të shkruajë që ditën e parë që kam hyrë unë në atë shtëpi.

Ardit Gjebrea: E di ajo që ti je shtatzanë?

Esmeralda: Atë ia kemi treguar, por prapë vazhdon nuk do ta dijë.

Ardit Gjebrea: Ti je shumë e qartë, po Erjoni?

Esmeralda: Erjoni është më i qartë se unë, por prapë unë s’jam e qartë me Erjonin, sepse kanë nisur konflikte.

Ardit Gjebrea: Ti ke frikë?

Esmeralda: Unë kam frikë, ngaqë ajo shkruan, nuk na lejon të jemi të lumtur bashkë.

Ardit Gjebrea: Po ti pse e ke thirrur Erjonin sot këtu?

Esmeralda: Unë e kam thirrur t’i kërkoj falje për çdo gjë.

Ardit Gjebrea: Pse, ti s’ke bërë asnjë gabim? Apo ke bërë?

Esmeralda: Edhe kam bërë. Dua t’i them mos e vrit mendjen jemi bashkë, mos u shqetëso. Mos e kthe kokën pas.

Ardit Gjebrea: Mos e vrit mendjen se jemi bashkë, ti nuk ke asnjë gabim, unë jam kureshtarë të di cili është gabimi yt që thua t’i kërkoj falje.

Esmeralda: Unë i bërtas, grindem me të, sa herë shkruan ajo unë grindem me Erjonin, i them mos i fol, i kërkoj Facebook-un. Ato janë frika ime.

Ardit Gjebrea: Tashmë që t’i pret edhe një fëmijë nga Erjoni, besoj që je akoma edhe më e sigurt për dashurinë e tij, për familjen që po krijoni, çfarë ta krijon këtë pasiguri?

Esmeralda: Ngaqë shkruan ajo. Para disa ditësh më kishte shkruajtur: ‘Atë që e kam pasur unë dhe e ke ti tani, do e marr unë përsëri. Ajo pjesë më përket mua, Erjoni më përket vetëm mua, jo ty’.

Ardit Gjebrea: Sa vite kanë kaluar që nga momenti i ndarjes?

Esmeralda: 3 vite.

Ardit Gjebrea: Po si u kujtua prapë ajo? Kanë kaluar 3 vite, ku jeton?

Esmeralda: Ajo është nga Bulqiza, por se ku jeton nuk e dimë. Unë atë doja të thërrisja t’i them se jam e lumtur me Erjonin, mos e kërko më se ai është me mua.

Ardit Gjebrea: Sigurisht ne jemi shumë të kujdesshëm dhe për këtë unë i jam shumë mirënjohës bashkëpunëtorëve të rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty”, Dorinës dhe Bernardit, sepse sigurisht që ne mund ta kishim thërritur edhe atë vajzë, por ne matemi mirë dhe mendojmë mirë se deri ku duhet të mbërrijmë dhe si duhet të mbërrijmë duke i sheshuar mirë të gjitha rastet dhe duke bërë më të mirën pa përfituar në dobi të audiencës televizive, kështu që ky është një parim i yni dhe u treguam të kujdesshëm duke parë dhe duke u futur pak e duke kërkuar më shumë në këtë histori, sesa po thua ti, kështu që nuk donim t’i bënim keq, por shpresojmë që ajo vajzë t’a kuptojë sepse nëse do të vinte këtu sigurisht që do të ishte masakruar nga të gjithë. Sado që ajo të ka bërë keq ty, unë jam i sigurt që tashmë po na dëgjon, por ne nuk do donim që t’i bënim shumë keq asaj. Ne mendojmë më shumë për ju sesa për një spektakël televiziv që bëjmë ne.

Gazetarja e rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” shkon pranë punës së Erjonit dhe i jep mesazhin. Ai vjen në studion e programit “E Diela Shqiptare” dhe surprizohet kur sheh Esmeraldën përballë, pasi kanë ardhur së bashku.

Esmeralda: Sot të kam thirrur për diçka që na shqetëson të dyve. Dua të them, duhet të më bindësh ti, që jemi bashkë dhe mos ta kthejmë kokën pas. Mos të kemi më grindje, sepse një muaj ka mbetur dhe t’i bëhesh baba e unë nënë. Të vazhdojmë jetën ashtu si jemi njohur. Ajo sado të shkruaj, vetë do largohet. Siç erdhi tek ne, ashtu do largohet prapë. Unë atë frikën time e kam, sepse nuk i dihet, ose e kam prej shtatzanisë, por t’i duhet të më premtosh se do vazhdosh me mua dhe vetëm me mua dhe nuk do t’ia lëshojmë dorën njëri-tjetrit.

Erjoni: Unë kam folur dhe i kam thënë që kam një familje tjetër, por ajo i shkruan Esmeraldës, më shkruan mua. Ta zgjidhi ajo. Unë e kam garantuar Esmeraldën. Esmeralda është jeta ime dhe do jetë gjithmonë.

Erjoni tregon se ish e fejuara vazhdon t’i shkruajë edhe pse ai pret një fëmijë nga Esmeralda, ka më shumë se një vit që i shqetëson vazhdimisht me telefonata dhe mesazhe edhe pse ai ka ndryshuar disa herë numrin e telefonit.

Besimi është guri i themelit në një dashuri. Nëse besimi është i fortë, asgjë nuk mund ta lëkundë një lidhje. Prova e dashurisë së Esmeraldës dhe Erjonit është engjëlli i vogël që do i shtohet së shpejti familjes së tyre.

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti II

Vajza e Shyhretes ka kaluar momente të vështira të cilat kanë ndikuar ndjeshëm në jetën e saj dhe marrëdhënien me njerëzit. Sidorela është mbyllur në shtëpi në vetminë e saj duke harruar kush ka qenë më përpara. Pasi e ëma ka provuar të gjitha rrugët për ta nxjerrë nga kjo gjendje, e ka ftuar sot në emision me shpresën se diçka do ndryshojë.

Shyhrete: Kam 4 fëmijë, jam shumë e lumtur, por arsyeja që më ka sjellë këtu është vajza e vogël. Quhet Sidorela, 22 vjeçe, ishte lumturia jonë, na e mbushte shtëpinë gjithmonë me gëzim. Në klasën e katërt ishte vajzë e talentuar, kishte talent për vallet, për të kërcyer, bënte edhe prezantuesen, njihej shumë në shkollë e shoqëronin fëmijët. Kështu vazhdoi deri në moshën 17 vjeçe, kur u njoh me një djalë. Na e prezantoi në familje, donte të bëhej koreografe dhe regjisore dhe nuk donim, sepse mendonim për atë dhe donim të vazhdonte ëndrrat e saja. Djali ishte shumë i mirë dhe u finalizua në fejesë. Kjo vazhdoi si prezantuese, por filloi të largohej nga aktivitetet, nuk shprehej, u mbyll në botën e vet. Nuk na tregonte. I bëmë një dasmë si në përralla. Ne na thoshte se ishte shumë e lumtur, por ne shqetësoheshim, sepse nuk vazhdonte shkollën, u shkëput nga aktivitetet. Iku me pushime me bashkëshortin, kur u kthye nuk më fliste shumë në telefon. Një ditë më thotë bashkëshorti, merre vajzën pyete si është. Më thotë nuk kam shumë forcë, jam e sëmurë. E çova në spital, i bëmë analizat, ajo nuk na tregonte asgjë. Vitin e kaluar do martoja djalin në 2 Shtator. Një mëngjes në lajme ishte se në familjen e Sidorelës kishin vendosur tritol. Ata ishin të gjithë shumë mirë. Dhoma e gocës ishte me plumba perdja. Duke dashur ta qetësoja gocën e ftova të vinte tek ne për pak ditë, por ajo më tha që nuk do linte familjen e saj vetëm.

Ardit Gjebrea: Shyhrete, tritol dhe plumba në shtëpinë e vajzës tënde. Sa kohë ka kaluar?

Shyhrete: Kjo ka ndodhur në 2 Shtator.

Ardit Gjebrea: Çfarë është për një nënë të shikojë që në shtëpinë e vajzës së saj i vënë tritol?

Shyhrete: Për një nënë e për një babë u bëmë për spital. Na iku gjaku në fund të këmbëve, burrin tim e kapi zemra.

Ardit Gjebrea: Normal.

Shyhrete: Kaloi një javë, kishim dasmën e djalit, vjen vajza. Bënim përgatitjet e fustaneve, rregulloheshim, motra e madhe e shtynte për përzgjedhjen e veshjeve. Do hapnim dasmën, ajo ka hapur të gjitha dasmat e farefisit si valltare dhe vendosëm të hapi dasmën e vëllait në shtëpi. Papritur një fëmijë hedh një kapsoll, kur Sidorela po kërcente dhe asaj i bie të fikët, ra në tokë dhe ikëm në spital. Më thotë doktori ka kaluar një traumë shumë të fortë dhe ka nevojë për psikolog. Do shumë qetësi, nuk duhet ta mërzisni. Ditën e hënë që mbaroi dasma e çuam në spital, vazhduam me ilaçe dhe psikologët që më kanë mbështetur. Këtu i vjen turp njerëzve nga psikologët. Unë jam bërë e sëmurë për të më nxjerr vajza deri në spital, sepse nuk dilte. Unë dua të vazhdojë jetën ku e ka lënë dhe mos të ketë frikë.

Gazetarja e rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” shkon këtë herë në Kamzë, për t’i dhënë mesazhin Sidorelës.

Ardit Gjebrea: Flasim pak bashkë, di që ti je artiste.

Sidorela: Dikur.

Ardit Gjebrea: Po pse dikur? Pse e ke lënë?

Sidorela: Sepse më duhet të zgjidhja dikë tjetër para meje, kështu që zgjodha atë.

Ardit Gjebrea: Përpara vetes? Sakrifikove veten, nuk bëheshin dot të dyja?

Sidorela: Nuk bëheshin, ishte zgjedhja o atë ose këtë.

Ardit Gjebrea: Po mirë, zgjedhja që bëre nuk të ndihmonte dot të realizoje ëndrrën tënde?

Sidorela: Jo.

Ardit Gjebrea: E ke diskutuar?

Sidorela: Shpesh herë.

Ardit Gjebrea: Po pse çfarë pengon? Kureshtar jam, thjeshtë për të bërë muhabet.

Sidorela: Çfarë e pengonte personin? Atë nuk e di, ndërsa mua më pengonte që nëse do vazhdoja rrugën time do humbisja atë. Kështu që zgjodha atë, sepse e ardhmja ishte krah tij, por m’u ndërprenë të dyja të ardhmet.

Ardit Gjebrea: Si i ke marëdhëniet sot me të ?

Sidorela: S’kam asnjë lloj marëdhënie. As nuk do doja të kisha.

Në anën tjetër të murit është zonja Shyhrete të cilën Sidorela e priste dhe majde i kishte thënë edhe në shtëpi që mund të mos e sillte deri në studion e programit “E Diela Shqiptare” për t’i dhënë një mesazh.

Shyhrete: Mami që të ka sjell këtu, ti di se sa vuaj unë për ty, edhe gjithë familja jote, babi, vëllezërit, motra të gjithë. Nëse do mundesh dua një premtim. Aty ku e ke lënë jetën, dua që ta vazhdosh. Ti je shumë e vogël, 22 vjeçe dhe ke akoma kohë të ecësh përpara si me shkollë, edhe patentën ta marrësh, jo të ma lësh përgjysmë. Tek jeta private ne nuk të përzihemi, merri vendimet si të duash. Të gjithë jemi gati për ty. Do të mbështesim siç kemi bërë më parë. Dëshira jonë është të vazhdosh për koreografe dhe regjisore ashtu si ke ëndërruar. Ti duhet të dalësh, mos të kesh frikë nga askush, sepse je e mbyllur në vetveten tënde dhe nuk del. Edhe të hash pak më shumë. Këtë kemi ne për ty.

Sidorela: E di që kohët e fundit jam mbyllur shumë në vetvete, të tjerët mendojnë që unë nuk e vuaj, por nuk dua që të tjetër të vuajnë atë që vuaj unë. Më mirë them problemet që kam t’i vuaj vetë dhe jo familja, sepse kanë vuajtur shumë 5 vjet me mua edhe them që do i kaloj ngadalë.

Ardit Gjebrea: Mendon që kanë marr fund këto vuajtje?

Sidorela: Në momentin që vendosa të shkëputem besoj se po.

Ardit Gjebrea: Tani ti ku jeton ?

Sidorela: Me mamin dhe babin.

Ardit Gjebrea: Çfarë të pengon të rifillosh ?

Sidorela: Nuk e di, besoj se nuk jam akoma e sigurtë në vetvete, sepse është e vështirë të shkëputesh 5 vjet dhe të vazhdosh nga aty ku e ke lënë, por besoj që mund ta nis me mbështetjen e familjes sime, vetëm i dua ata krah meje, asgjë tjetër.

Ardit Gjebrea: Ti ke qenë edhe me ansamblin valltare, ke prezantuar, u zhdukën të gjitha. Bëre një zgjedhje të momentit.

Sidorela: Ishte gabimi im që bëra, u zhdukën të gjitha, u shumëzuan të gjitha me zero.

Ardit Gjebrea: Je penduar?

Sidorela: Shumë. Ndoshta po të mos e kisha bërë atë zgjedhjen nuk do vuaja as unë as familja, nuk do isha këtu ku jam sot.

Bashkë me balerinat e programit “E Diela Shqiptare” në fund të mesazhit Sidorela nisi vallen e para dhe moderatori Ardit Gjebrea e fton të jetë pjesë e “Telebingo Shqiptare”.

Betejën e fiton ai që përballet me të vërtetat e tij. Ndonjëherë janë njerëzit e dashur ata që duhet të na konfirmojnë fuqinë që kemi brenda vetes. E thënë kjo nga nënë Shyhretja, për Sidorelën është si të ketë lindur sërish. Ajo ka kurajo për të ecur përpara, por i duhej një shtysë nga personi më i shtrenjtë i saj për ta vazhduar jetën nga e para.

NE JEMI CFARE HAME KUJDES SHENDETIN!

Telebingo shqiptare!

POWER KIDZ 5!

“SHIHEMI NË GJYQ”

Vetëm 8 muaj kanë kaluar nga një ngjarje që tronditi jo vetëm Peshkopinë, por mbarë opinionin publik. Më 7 Qershor të 2018-s, i kthyer vetëm një ditë më herët në Shqipëri, Qemal Sela ekzekutoi me armë zjarri prindërit e tij, Zeqimete dhe Flamur Sela. Ngjarja e rëndë ndodhi në hotelin e llixhave të familjes Sela, që shërbente jo vetëm si biznes i familjes, por edhe si shtëpi për ta. Sëbashku me viktimat, në këtë hotel banonte edhe djali tjetër i tyre, Floriani me bashkëshorten e tij Myzafere, të cilët kanë dy fëmijë.

Pikërisht kjo e fundit ndodhej sot këtë të diel në rubrikën “Shihemi në gjyq”. Përtej problemeve që do të pasonin nga kjo tragjedi e dyfishtë, Myzaferja rrëfeu në studion e “E Diela Shqiptare” se djali i ekzekutoi dy prindërit e tij në sytë e saj.

“Në Qershor të 2018-s humba prindërit e bashkëshortit nga kunati. M’i vrau në sy. Kam pasur edhe vajzën edhe burrin prezentë. Kemi një godinë 5 katëshe, që punonim aty, si në kurbet. Aty mbanim fëmijët me bukë, me një sakrificë të madhe punonim. Jetonim të gjithë bashkë, derisa na ndodhi ajo fatkeqësi. Kunati rrinte në Angli, kishte 6 vjet që kishte ikur për një jetë më të mirë, për të na ndihmuar. Më pas në 2018-n, në Qershor, kur ndodhi ngjarja, vjen nga Anglia i deportuar. Ishte pa dokumente. Kishte kaluar gjendje depresioni në Angli, që ne nuk e dinim. Vjen në shtëpi, kishte qenë i sëmurë.”

Çobani tregon se vetë 25-vjeçarja ka shpëtuar për mrekulli, sepse në momentin kur djali i drejtoi armën nënës së tij, pranë saj ndodhej edhe Myzaferja, të cilën ai e shtyu tutje, duke mos dashur që ta vriste.

“Ka qenë fat i madh që keni shpëtuar. Sepse ai ka qenë ngjitur me armë në dorë, në momentin që ka vrarë prindërit dhe juve ju ka shtyrë në fakt. E ka bërë me ndërgjegje shtyrjen tuaj dhe ka vrarë vetëm prindërit. Ka qenë një habi e madhe”, tha Çobani.

Motivi i vrasjes, ashtu si në kohën kur ndodhi ngjarja e rëndë, edhe sot mbetet mister. Juristja Çobani solli edhe versionin e ngjarjes, të treguar nga Myzaferja.

“Arsyet e kësaj vrasjeje nuk dihen nga askush. Fakti që ai ka ardhur në një gjendje shumë të rënduar psikologjike nga Anglia, ka bërë që pikërisht që ditën e nesërme të mbërritjes, ka kërkuar të hyjë diku në një magazinë të hotelit 5 katësh, ku dikur aty brenda ishte një armë. Këtë armë e kishin harruar edhe vetë familjarët, sepse e kishin lënë në këtë magazinë dhe nuk ishte kujtuar njeri. Ky djalë e mbante mend këtë armë. Dhe nëna e tij i jep çelësin, sepse ky insiston dhe thotë që kam një album fotografik brenda në magazinë dhe dua ta marr të shikoj veten si kam qenë dikur. Nëna ia jep. Ndërkohë që këto nuk e dinin që ai kishte gjetur armën, po e përgatiste dhe në momentin kur dera ishte e mbyllur, vjen i ati i kërkon me insistim “ma hap derën djalë, të lutem”. Ai hap derën dhe i zbraz të gjithë karikatorin të atit. Menjëherë vjen e ëma, sepse dëgjon zhurmën. Ai godet edhe të ëmën dhe e treta ka qenë Myzaferja që është afruar aty, ndoshta për t’ju shpëtuar jetën pleqve. Ai ka parë që e ëma ka qenë akoma e gjallë, sepse Myzaferja po mundohej t’i jepte ndihmën e shpejtë. Ai e ka larguar Myzaferen dhe e ka goditur sërish të ëmën. Pra ka qenë vërtetë një tragjedi që unë e tregoj dhe ngjethem, është një emocion shumë i madh sepse nuk mund të arrij dot të imagjinoj që një fëmijë të bëjë një krim të dyfishtë, kaq të rëndë. Por mendoj që arsyet patjetër që i di vetë ai… megjithatë ka qenë në gjendje shumë të rënduar psikologjike, gjë që është provuar.”

“Atë ditë thoshte nuk kam punë me ju, kam punë vetëm më prindërit e mi”, thotë Myzaferja.

Myzaferja ishte dëshmitare e vrasjes së vjehrrit dhe vjehrrës së saj në Peshkopi, nga djali i tyre, por tragjedia nuk mbaroi me kaq pasi pas ngjarjes, ajo bashkë me fëmijët dhe bashkëshortin u detyruan të largoheshin nga banesa. Këtë të diel në “Shihemi në Gjyq”, ajo kishte sjellë nënën e saj Valije, të cilës i kërkoi që ta mbante në shtëpi derisa të zgjidhej problemi me pasurinë e bashkëshortit të saj.

“Brenda kësaj familje kemi një pasuri. Kemi një hotel 5 katësh, ka qenë i ndërtuar totalisht nga prindërit e 3 fëmijëve dhe të cilët u ekzekutuan më 7 Qershor. Sot kemi dajat dhe xhajat, të cilët kanë marrë të drejtat mbi ndarjen e kësaj pasurie midis dy djemve dhe vajzës, e cila është minorene. Gjykata dhe Policia e Shtetit me ngjarjet që pretendohet që kanë ndodhur brenda familjes, kanë marrë masat për largimit të Myzaferes nga Valbona, duke i dhënë kësaj të fundit katin e parë të këtij hoteli. Katet e tjera nuk janë vendosur se kush do të banojë. Ky është edhe problemi i vërtetë i Myzaferes. Në këtë hotel, e gjitha familja mblidhej në katin e parë, në katet e tjera nuk kanë ambiente ku mund të jetonin sepse ua jepnin atyre që vinin për llixha. Kështu që arsyeja më e madhe e Myzaferes është që sot ndodhet me bashkëshortin, dy fëmijët dhe fëmijën që pret, ndodhen tek mamaja e saj e cila ka vetëm dy dhoma”, tregon juristja Çobani.

Por si dhe përse u nda kjo pasuri? Vajza e vogël e familjes Sela, u largua tek xhaxhallarët dhe denoncoi Myzaferen për dhunë, akuzë të cilën kjo e fundit nuk e pranon. Gjykata vendosi që Myzaferja të mos i afrohej kunatës së saj 15-vjeçare. Në anën tjetër, me arsyetimin për të qetësuar gjakrat dhe për të ndarë pasurinë që kishte lënë çifti Sela, dajat dhe xhaxhallarët e tre fëmijëve të tyre vendosën të bënin një akt-marrëveshje, të firmosur edhe nga Floriani, djali i madh i të ndjerëve dhe bashkëshorti i Myzaferes.

Nga kjo marrëveshje, kati i parë i hotelit i jepej vajzës 15-vjeçare, ndërsa Florianit iu dha një ndërtesë 3 katëshe karabina. Në këto kushte ata vijojnë të jetojnë tek prindërit e Myzaferes. I pranishëm në studio, vetë Floriani pretendon se nuk ka qenë i vetëdijshëm kur ka hedhur firmën. Ai thotë se gjithë qëllimi ka qenë që daja të merrte pasurinë. Pikërisht ky dajë kërkon sot të marrë kujdestarinë e motrës së vogël, Valbonës.

Në akt-marrëveshjen në fjalë, thuhet se hoteli i llixhave do të administrohet nga vajza, duke rënë dakord që kjo pasuri të përdoret derisa vëllai i saj Qemal Sela, i cili vuan dënimin për vrasjen e prindërve, ta administrojë vetë atë.

“Në pjesën e parë të kësaj marrëveshjeje ne kuptojmë përse ka ndodhur edhe vrasja”, shpjegon juristja Çobani.

“Pra si duket Qemali ka pretenduar se ka dhënë një masë të konsiderueshme financiare në ndërtimin e kësaj prone. Prindërit ndoshta nuk kanë qenë në fazën për t’i kaluar pasurinë dhe atëherë mund ë ketë ndodhur ndonjë konflikt, që dajat dhe xhajat sot pas vdekjes së dy prindërve, duan që në një të ardhme, kur ai të dalë pas vuajtjes së dënimit, të gëzojë këtë pasuri”.

Megjithatë, juristja sqaron më tej se kjo akt-marrëveshje nuk është ligjore.

“Duhet të mos harrojmë që Floriani me Myzaferen kanë qenë banorë në këtë shtëpi dhe banesa është kaq e madhe sa këta mund të lejoheshin që të jetonin edhe ata brenda. Këtu është bërë një akt-marrëveshje, që nuk është ligjore, por thjeshtë një vullnet mes palëve për t’u ulur dhe për të bërë një ndarje vetë ata, por që nuk kanë asnjë të drejtë. Dhe i kanë thënë Florianit, që dil nga shtëpia, bano përkohësisht tek vjehrrit, mbaro këtë banesën 3 katëshe që është vetëm karabina dhe hotelin, që ka qenë një burim jetese për këtë familje është mbyllur. Vajza minorene jeton me dajën. Ky biznes praktikisht është shkatërruar.”

Më tej Çobani thotë se hoteli është pasuri e përbashkët e të tre fëmijëve dhe se kjo akt-marrëveshje nuk ka fuqi që t’i nxjerrë ata nga shtëpia. Madje juristja u bën thirrje autoriteteve që të lejojnë rikthimin në banesë të Florianit dhe familjes së tij.

“Unë dua të të siguroj vetëm një gjë, që kjo akt-marrëveshje nuk ka asnjë lloj fuqie, është nul. Ndërkohë, ju duhet të bëni me urgjencë lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë së prindërve që kanë ikur nga jeta dhe më pas të bëni pjesëtimin e pasurisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Peshkopi, e cila jam e bindur që në zbatim të ligjit do të ndajë pasurinë për tre, në mënyrë më të drejtë të mundshme. Ti mos u mërzit, ligji ka fuqi, ligji do vendosë ku do jetosh ti, ku do jetojë Qemali dhe ku do të jetojë edhe Valbona.

“Ti me këtë akt-marrëveshje nuk mund të dalësh nga shtëpia. Kështu, i bëj thirrje Policisë së Rrethit Gjyqësor Peshkopi, por edhe Gjykatës të lejojë menjëherë hyrjen tënde në këtë banesë. Banesa do të ndahet një pjesë për ju dhe Valbonën, sipas kësaj që ka bërë gjykata dhe më pas ju do t’i nënshtroheni pjesëtimit të pasurisë për të tre trashëgimtarët”.

Vetë Myzaferja tha kishte shkuar në gjykatë dhe gjyqtarja i kishte thënë se nuk e kishte nxjerrë nga banesa. “Shko futu në kat të dytë më tha”, tregon 25-vjeçarja, ndërsa shton: “Por unë nuk kam kushte, sepse në kat të dytë unë kam vetëm krevatë…”

Në fund, me optimizmin se ky problem do të zgjidhet sa më shpejt, nëna e Myzaferes pranoi ta mbajë familjen e së bijës në shtëpi edhe për pak kohë.

BE coffee!

Të ngjashme
UKT