E DIELA SHQIPTARE – EMISIONI 31 (SEZONI 10) – TV KLAN

E DIELA SHQIPTARE – EMISIONI 31 (SEZONI 10)

Emision: 15.04.2018

Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”
Rasti I

“Ka një mesazh për ty” u çel sot me një histori dashurie si ato të përrallave. Fatbardha, nënë e një vajze, njihej me Ermirin, bashkëshortin e saj aktual qëkur ishin të vegjël. Jeta e Fatbardhës, mori një tjetër rrjedhë, ajo u martua në moshë fare të re dhe kreu detyrën e saj si grua e devotshme për shumë vite. Nga ana tjetër Ermiri nuk reshti kurrë së menduari për të dhe në momentin që atij iu dha mundësia, bëri gjithçka për të fituar dashurinë e jetës së tij.

Fatbardha: Unë dhe Ermiri njihemi qysh kur ishim të vegjël, qysh fëmijë. Pastaj jeta ime mori një rrjedhë tjetër, isha 15 vjeç dhe më fejuan me mblesëri. Në moshën 17 vjeç jam martuar dhe kam ikur direkt në Itali. Në Itali kam jetuar 12 vjet, tani jam kthyer jetoj në Tiranë. Nga kjo martesë kam edhe një vajzë 8 vjeçe. Pas disa vitesh erdhi edhe divorci nga martesa e parë.

Ndërsa Ermiri gjatë kësaj kohe që unë kam qenë e martuar, nuk është as fejuar, as martuar.

Ardit Gjebrea: Ka menduar për ty.

Fatbardha: Ai thotë që po…

Ardit Gjebrea: Po ti ke menduar për të gjatë martesës tënde?

Fatbardha: Jo. Unë jam njeri që përkushtohem. E mblodha mendjen që kjo është familja ime. Por pas divorcit Ermiri ka qenë mbështetja ime më e madhe. Nuk është e lehtë të divorcohesh duke pasur parasysh paragjykimet, por mes nesh kishte shumë grindje. Nuk mund të vazhdoja në atë situatë. E bëra për hir të vajzës nuk doja të më shihet në atë situatë. Ajo ishte katër vjeçe u rrit, po kuptonte. Nga momenti që jam ndarë vjen në jetën time Ermiri…Ai në fakt kishte dëgjuar që unë po ndahesha dhe më kontaktoi direkt në Facebook sepse ishte mënyra më e lehtë për të më gjetur. Më ka bërë për vete thjesht me përkujdesjen. Isha shumë keq, ishte një periudhë që unë isha vetëm, familjen e kisha kundër. Ata nuk e pranonin vendimin tim. Në atë kohë të vështirë për mua ishte Ermiri që më pyeste çdo ditë si jam, ishte ai që gjendej aty nëse kisha nevojë për diçka. As në punë nuk shkoja, sepse s’isha mirë. Ai më pyeste edhe nëse kisha nevojë nga ana ekonomike.

Ardit Gjebrea: Kur u takuat ju për herë të parë?

Fatbardha: Unë jam ndarë në Dhjetor të vitit 2013 dhe jemi takuar në Shkurt të vitit 2014. Shkova unë në Genova ku ai jetonte sepse ai s’mund të lëvizte për shkak të punës. Në momentin e parë që jemi takuar ai u dridhte komplet, i tëri. Aty e kuptova që ai vërtet më donte shumë shumë shumë. Unë u ktheva në Bari, por vazhduam të jemi tamam të lidhur. Arsyeja pse e kam thirrur Ermirin këtu është se gjatë kësaj kohe që unë kam vuajtur, sidomos dy vitet e para, në të cilat unë kam luftuar për të marrë divorcin dhe kujdestarinë e vajzës, Ermiri ka qenë i vetmi që më është gjendur pranë. Pasi u pajtuam, edhe familja ime, normalisht. Ai më ka ndihmuar nga ana morale po ashtu edhe nga ana ekonomike. Ai ka bërë shumë sakrifica për mua. Jemi kthyer të dy për të jetuar në Shqipëri sepse kështu ishte më e lehtë për të ndjekur proceset gjyqësore.

Ermiri nuk është trembur për shkak të paragjykimeve, edhe pse ai ishte beqar dhe Fatbardha një grua e divorcuar dhe nënë e një vajze. Përkundrazi ai vendosi ta mbështesë Fatbardhën dhe të luftojë për dashurinë e saj. Fatbardha jep për publikun edhe lajmin e bukur se ata janë në pritje të një vajze. Ajo është në muajin e shtatë të shtatzënisë.

Mesazhi në studio: Doja të të falënderoja ty, për çdo gjë që ke bërë për mua. Duke filluar nga momenti që jemi lidhur dhe deri më sot. Këto katër vite kanë qenë vitet më të lumtura për mua dhe çdo gjë falë teje. Sepse ti mundohesh të bësh çdo gjë që unë të mos mërzitem kurrë. Ndaj ky falënderim të takon vetëm ty, për lidhjen tonë.

Fatbardha nuk i shpreh vetëm mirënjohjen, por edhe i kërkon me humor, t’i premtojë asaj që nuk do të jetë shumë i fiksuar pas futbollit.

Ardit Gjebrea: Ermir, meqë sot ke ditëlindjen, kërkoji edhe ti ndonjë gjë nuses tënde?

Ermir: Me thënë të drejtën s’dua t’i kërkoj asgjë, jam në rregull, asaj nuk i mungon asgjë. E falënderoj shumë. I them që e dua shumë, e dua pafund shumë.

Surpriza që Fatbardha i bëri bashkëshortit të saj te “Ka një mesazh për ty”, koincidoi me ditëlindjen e Ermirit kështu që në program u krijua një atmosferë e vërtetë feste.

“KA NJË MESAZH PËR TY”
Rasti II

Rigelsi ka qenë për një kohë shumë të gjatë i varur nga alkooli. Kjo ka sjellë probleme jo vetëm në jetën e tij, por edhe për familjen e tij, sidomos babain. Ai ka ardhur në “Ka një mesazh për ty” për të treguar se alkooli i përket së shkuarës dhe njëkohësisht për t’i kërkuar falje babait të tij për gjithçka që i ka shkaktuar.

Ai thotë se shoqëria e keqe e dërgoi atë në rrugë të gabuar, por tashmë ai ndihet më i fortë se kurrë për të marrë përgjegjësitë e tij.

Rigelsi: Kam ardhur për babanë, që t’i kërkoj falje. Nga mosha 14 vjeç deri më sot që jam 33 vjeç, iu futa alkoolit. Një moment unë isha i dehur, godita babanë me shpullë. Babai donte të më jepte një mësim të mirë prandaj unë përfundova gjashtë muaj në burg. Vuajtja e dënimit në burg ishte një mrekulli sepse bëri që unë të arrij këtu ku jam sot. Dua të falënderoj prindërit e mi që nuk më braktisën asnjëherë.

Rigelsi tregon për momentet e vështira të kaluara në burg dhe se si u braktis nga shoqëria e tij me të cilët kalonte një pjesë të madhe të kohës. Ai thotë se tashmë nuk konsumon aspak alkool dhe gjithçka ka ndodhur është pjesë e së kaluarës. Në studio e ka sjellë keqardhja dhe pendesa për gjithçka që i ka shkaktuar familjes së tij.

Rigelsi: Babi, ti e di shumë mirë, që unë alkoolin e kam pi shumë. Unë të kam sjellë vetëm të këqija dhe asgjë të mirë në jetë. Vuajtja e dënimit në burg, më ka bërë shumë mirë. Të falënderoj që më ke dërguar atje. M’ka bërë shumë mirë, se nuk do isha këtu ku jam sot dhe të kërkoj falje për shpullën që të kam dhënë. Të kërkoj falje për të gjitha.

Unë do i kthehem punës, si në Peqin.

Ibrahimi: Edhe ne të kemi falur.

Nuk gjej fjalë që të flas, por duke menduar si prind, kjo që më ka ndodhur mua mendoj se u ka ndodhur çerekut të prindërve shqiptarë. Ka bërë gjashtë muaj burg, nuk ia kam parë sytë. Ju bëj thirrje të gjithë atyre që janë në rrugë të keqe, të ndryshojnë.

Ardit Gjebrea: Gjatë kohës që djali po të jepte mesazhin, ajo që më bëri përshtypje është se nuk shikoje në ekranin përballë, vetëm dëgjoje. Ke ende ndonjë refuzim ndaj ti apo çfarë?

Ibrahimi: Jo jo asgjë…

Ardit Gjebrea: Po pse nuk e shikoje, thjesht kureshtje imja.

Ibrahimi: Kam vuajtur shumë nga ky por fëmija është fëmijë, nuk ke ku e çon. Asgjë s’mund ta ndihmojë përveç se kurajoja e tij dhe uroj të vazhdojë kështu.

Ardit Gjebrea: Dua që ta shohësh në sy dhe t’i thuash diçka.

Ibrahimi: Unë e falënderoj shumë nga zemra. Mora vesh nga ime shoqe më tha Gelsi ka heq rakinë. I thashë do e mbaj natë e ditë me mjaltë, mjafton që ai mos të pijë më raki.

Ardit Gjebrea (me humor): Rigels ti hoqe dorë nga rakia për mjaltin e Tropojës?

Rigelsi: Jo e kam bërë për nënën, babain dhe familjen time. Ata janë mjalti im.

“TELEBINGO SHQIPTARE”

“SHIHEMI NË GJYQ”

Bashkëshortët Vera dhe Marko janë bërë pjesë e rubrikës “Shihemi në gjyq” në emisionin “E Diela Shqiptare” për shkak të një firme, e cila i ka çuar në rrezik divorci pas 50 vitesh martesë.

“Kam ardhur këtu dhe kam sjellë zotërinë se kam 3 vjet, po shkojnë 4, që sherri ynë është vetëm ‘firma’. Thoshte i kam marrë unë, por unë i thoja që pasurinë e kam dhe unë. Mos m’i lër fëmijët pa pasuri! Ai nuk më besonte e më thoshte ku e gjete shkollën ti. Unë nuk kam shkollë siç kanë këta sot, por kam të vërtetën. Si e bëri ky? Hodhi firmën dhe nuk pyeti as djemtë e as mua!”, u shpreh Vera.

Juristja Eni Çobani i ngriti pyetjen Markos se si ka mundur të firmosë pa pyetur 4 bashkëpronarët e tjerë. Ai rrëfeu se dy motrat e tij dhe një notere i kanë shkuar një mbrëmje në shtëpi dhe i kanë kërkuar të firmosë një dokument për tokën e nënës së tyre, Aspri Sema.

Vera tregoi se nuk kanë patur marrëdhënie të mira me familjarët e bashkëshortit të saj, ndaj dhe vendosën të hiqnin dorë nga toka që trashëguan nga e ëma e Markos, duke ia lënë djalit që ka jetuar me të. Por në këtë moment nisën problemet në familjen e tyre.

Zonja Eni posedon një deklaratë noteriale nga Marko Sema, që sipas saj, është firmosur një herë e më pas është shtypur akti, por megjithatë duhet të provohet nga një ekspert. Marko e ndërpreu duke thënë që është dokument i falsifikuar, pasi e pohon që ka firmosur në disa dokumente bosh.

I pyetur nga moderatori i emisionit “E Diela Shqiptare”, Ardit Gjebrea se përse e ka firmosur, ai u shpreh se ia ka kërkuar noterja. Juristja Çobani shpjegoi se Marko pretendon që ka firmosur vetëm disa prej tyre, ndaj rezulton se është falsifikuar.

Por Gjebrea tha se nëse do të ishte e falsifikuar, personi përgjegjës do të mund të firmoste ku duhej dhe jo në fund të dokumentit.

Vera e zhgënjyer nga bashkëshorti rrëfeu frikën që ka nëse ai ka firmosur vetëm për pronën e të ëmës apo edhe për tokën dhe shtëpinë e tyre. Por Eni Çobani u shpreh se nuk duhet të frikësohet kur bëhet fjalë për tokë bujqësore, pasi ajo dhe fëmijët e saj janë bashkëpronarë dhe do të mund të hedhin poshtë fare lehtë dokumentet që mund të firmosë Marko.

Ajo lexoi dëshminë noteriale që ka firmosur ky i fundit, ku thuhej: “Në kushtet që nëna ime e quajtur Aspri Sema, e bija e Profit dhe Maries, ka vdekur dhe kjo vërtetohet nga certifikata e vdekjes, e lëshuar nga zyra e Gjendjes Civile Libofshë, unë me cilësine e trashëgimtarit ligjor të saj, heq dorë nga pjesa takuese që më përket nga trashëgimia ligjore e saj, në bazë të nenit 53/3 të ligjit “Për noterinë“.

Pra, Marko Sema ka hequr dorë nga pjesa që ka trashëguar nga e ëma, por ajo çka nuk u kuptua në këtë problematikë është fakti që ai pretendon se ka firmosur në katër fleta të bardha. Ai shtoi se e ka shoqëruar kushëriri, i cili ia ka lexuar dokumentin, pasi vetë nuk e kuptonte.

Vera – Shkoi dhe vëllai i nuses, shkuan të gjithë atje. Ky shkoi, i tha ajo duhen dhe këto dhe firmosi nja katër.

Eni Çobani – Ky kushëriri juaj pse ju shoqëronte? Kush është kushëriri juaj?

Vera – Kushëriri pse s’të erdhi aty ty, por të la vetëm? Në shtëpi erdhi të mori e aty të la vetëm. Dhe ai vëllai i nuses rrinte këmbë përmbi këmbë e bënte muhabet, ndërsa ti shkove aty dhe shkrove. Mos ta shkruaje ti se s’kishte asgjë aty! Të lutem Marko se më more në qafë fëmijët!

Marko – Ke të drejtë për atë…

Vera – Ta dish mirë se s’më ke lënë që ta ndiqja. Më ke thënë ik dhe thefsh kokën! Ka bërë gabimin më të madh se ata nuk e deshën kurrë dhe shkoi firmosi dhe nuk i lexoi fare!

Juristja Çobani tregoi se ekziston akt-marrja e tokës bujqësore në emër të Marko Semës, me sipërfaqe 26,200 metra katrorë tokë, për të cilën janë bërë disa certifikata pronësie. Pavarësisht faktit që ato janë në emrin e tij, Vera dhe fëmijët e tyre janë bashkëpronarë ligjorë. Në një prej certifikatave të pronësisë, ku thuhet se janë 200 metra katrorë, bashkëshortët pretendojnë se në të vërtetë janë 476 metra katrorë tokë, por pjesa tjetër iu është konsideruar tokë-shtet nga topografi.

“I thashë po metrat e tjera ku i ke, 270. Aty janë tha, brenda mureve. Por a flet muri o xhan? S’flet muri i thashë, flet kjo (dokumenti)”, tha Vera.

Publiku i emisionit “E Diela Shqiptare” në këtë seancë ndërmjetësimi i dha të drejtë Verës, e cila ka këmngëngulur të jetë pjesë e procedurave, por Marko nuk e ka lejuar. Ndaj dhe tani ajo kërkon të drejtën e saj dhe të fëmijëve të tyre.

Zonja Eni tregoi se deklarata noteriale që ka bërë Marko Sema për të hequr dorë nga pjesa që i takon nga trashëgimia e të ëmës, nuk është e vlefshme, pasi përpos dyshimit për falsifikim, nuk ka të bashkangjitur pjesën takuese të tij dhe certifikatën e pronësisë. Ajo shpjegoi se fillimisht duhej të ishte bërë pjesëtimi i pasurisë në bazë të një dëshmie trashëgimie pas vdekjes së prindërve, më pas të regjistrohej pranë zyrës përkatëse të regjistrimit të pasurisë dhe më pas do të mund të zgjidhnin për fatin e asaj prone, nëse do ta mbajnë ose jo.

Vera kërkon ndihmën e juristes Çobani, që të shkojnë të tre për të zgjidhur problemin me tokën me sipërfaqe 276 metra katrorë, që iu është deklaruar padrejtësisht tokë-shtet.

Marko tha se ia ka dhuruar me dëshirë 1 dynym tokë vëllait që jetonte me të ëmën, por zonja Eni i shpjegoi se duhet të specifikohen kufijtë në deklaratë, në mënyrë që të mos ketë keqkuptime dhe pretendime nga ana e bashkëshortes së tij.

PER DREKE ME MUA!

Në pjesën e dytë të këtij sezoni tek “Për drekë me mua”, personazhet do të drekonin në shtëpinë e aktorit të njohur të humorit Erjon Isai. Edhe këtë puntatë nuk kanë munguar aspak batutat dhe humori në garë, pjesë e së cilës janë moderatorja Arjola Shehu dhe aktorët Bes Kallaku dhe Erjon Isai.

Gjatë drekës në shtëpinë e Isait, dietologia Blerina Bombaj Troci pyet Besin nëse momenti kur ai u rrëzua nga takat te “Kënga Magjike” ishte pjesë e skenarit apo thjesht një incident.

Bes Kallaku: Rashë vetë, ça skenari. Ishim me taka shumë të larta.

Në atë moment ndërhyn edhe Arjola Shehu, e cila tha se “Kishin koreografi në atë pjesë, por nuk e realizuan dot se ishin në taka shumë të larta.”

Gjatë puntatës së sotme në “Për drekë me mua”, përveç pjatave të shijshme dhe skenave të humorit, nuk kanë munguar edhe disa të pathëna rreth “Kënga Magjike 2017”.

Pasi Bes Kallaku iu përgjigj pyetjes nëse ishte skenar apo incident rrëzimi i tij në skenë, Erjon Isai tregon për mënyrën si reagoi drejtuesi i spektaklit, Ardit Gjebrea, në lidhje me këtë incident.

“E bukura e Arditit, se Arditi nuk na kishte parë ngaqë ne moderuam bashkë me Arditin… dolëm nga skena, Arditi vazhdoi me ‘New Artist’. Kur i kemi dalë përpara i pashë vetëm një lot në sy”, tregoi me humor Isai.

Bes Kallaku shtoi se Ardit Gjebrea u përpoq të mos e jepte veten.

“POWER KIDZ 4”

SFILATE NGA ALTIN MICI!

Kategori
E DIELA SHQIPTARE
0 Komente

Përgjigju

*

*