Talk Show nga Ardit Gjebrea!

Per dreke me mua!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

Erdona e kishte ndarë mendjen që një nga momentet më të bukura në jetën e një gjimnazisti siç është mbrëmja e maturës të mos e përjetonte si gjithë bashkëmoshatarët e saj. Më 13 mars të këtij viti, vajzës nga fshati Shtiqen i Kukësit i digjet shtëpia me gjithçka kishte brenda saj.

Pjestarët e familjes tashmë janë shpërndarë për të fjetur tek komshinjë apo ndonjë kushëri. Prindërve i’u është dashur të sakrifikojnë pafund për shkollimin e vajzës në kryeqytet por edhe ajo i ka nderuar me rezultatet e shkëlqyera tek shkolla “Hoteleri – Turizëm” ndër vite. Por që nga dita që Erdonës i është djegur shtëpia, ka ndryshuar gjithçka në jetën e saj, që nga ekonomia e falimentuar e deri tek gjendja shpirtërore. Tashmë edhe vazhdimi i shkollës së lartë duket një mision thuajse i pamundur për vajzën nga Kukësi.

Ekskursionet apo të dalat me shoqet janë zhdukur nga fjalori i saj. Nga një vajzë e qeshur, disi rebele, me shumë personalitet ajo tani nuk flet, ka rënë paksa në mësime dhe ndonjëherë i ka rënë dhe të fikët në klasë nga mosushqyerja apo stresi. E gjithë kjo situatë e vështirë i ka bërë bashkë shokët dhe shoqet e klasës së Erdonës që ta ftojnë tek rubrika “Ka një mesazh për ty” për t’i bërë një thirrje sa prekëse por dhe aq dinjitoze.

Përveç fjalëve inkurajuese se do jenë përherë pranë saj ata kishin menduar që t’i paguanin shpenzimet totale për mbrëmjen e maturës që edhe ajo të përjetonte të njëjtën kënaqësi si të gjithë. Mes lotëve dhe me zërin që i dridhej ajo e ka pranuar ftesën e miqve të saj që të jetë pjesë e mbrëmjes së maturës. Në vazhdim të këtij momenti emocionues, Ardit Gjebrea i ka bërë një tjetër dhuratë Erdonës. Që premtimi të fillonte të realizohej që në ato momente, asaj i është shpalosur një pjesë e koleksionit të fustaneve të stilistit Joni Peçi për të zgjedhur atë të duhurin që do e shndërrojë Erdonën si një princeshë.

Ndërsa për miqtë e saj, Ardit Gjebrea kishte një sugjerim që të mendonin vetëm për t’u kënaqur me njëri – tjetrin sepse të gjitha shpenzimet e Erdonës për atë mbrëmje të veçantë do i merrte përsipër ai vetë. E nëse të gjitha kujtimet e fëmijërisë i’u shuajtën mes rrënojave të shtëpisë së djegur, të paktën mbrëmja e maturës do jetë një kapitull i ndritshëm që gjithmonë do e kujtojë me nostalgji.

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti II

Protagonistët e rastit të dytë tek “Ka një mesazh për ty” ishin një çift të moshuarish, me një histori dashurie tepër e rrallë.

Ata janë njohur rreth viteve 50-60. Ai një ushtar i sapo liruar që u ngjit në autobus, ajo një 16 vjecare me flokë të verdhë që s’ia ndante dot sytë. Kohë kur tesera e partisë të kohës përcaktonte fatin e një dashurie. Sikur të mos mjaftonte, edhe bindja e nje babai që ia kishte bërë të qartë të bijës që s’duhej të martohej me një mysliman.

Përballë një dashurie të pamundur ata ndahen. Qamili u martua dhe vazhdoi jetën e tij. Kristina jo. As martesë, as fëmijë, deri kur u bë 46 vjec dhe nje mblesëri e shpejtë e con në Buenos Aires. Atje ajo u martua dhe qëndroi për 22 vjet. Pasi i vdes bashkëshorti, një telefonatë vjen nga Tirana, një zë i dashur që s’e njeh. Mili. Pas disa kohësh dhe ai mbetet i ve dhe i kërkon Kristinës që të kthehet. Pas 22 vitesh në Argjentinë, Kristina vendos të kthehet. Sheh Qamilin, tashmë me flokët e bardhë si dëbora. Ai nuk e njeh.

Por zemra po. Kanë kaluar 50 vjet që kur u ndanë. Prej një viti jetojnë bashkë. Surpriza e produksionit të së Dielës Shqiptare ishte pikërisht cermonia e veshjes si dhëndrr e nuse në eventin më të madh të vitit të Geraldina Sposa.

Kristina dhe Mili s’e dinin që autobusi i jetës do i bënte bashkë, do i zbriste në stacione të ndryshme e do i takonte sërish pas 50 vitesh për të udhëtuar deri në fund me njëri-tjetrin.

“TELEBINGO SHQIPTARE”

“SHIHEMI NË GJYQ”

BE coffee!