#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim. #shpetimi#besa#alkol#divorc#ribashkim#femije#hekuranbarci#varesi#duhani#shtepi#bashkim#falenderim

Alkooli e bëri të prekte dy herë fundin, Shpëtimi: Mendoja se do më bënte të fortë

Emigrimi ishte zanafilla e një varësie për Shpëtimin. Në historinë që ndan me “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ai tregon se pas emigrimit në Greqi, filloi që ngushëllimin për gjithçka ta gjente te alkooli.

Familjes nuk po arrinte t’i plotësonte kërkesat dhe pas 10 vitesh martesë prej të cilës ka dy djem, erdhi edhe fundi. Ish-bashkëshortja shkoi në Durrës së bashku me fëmijët duke i rritur e vetme, një sakrificë që Shpëtimi e vlerëson edhe sot e kësaj dite. Pas atij momenti, ai vetë nisi të jetonte në shtëpinë e rrënuar që kishte në Fushë-Krujë por gjithçka kishte marrë të tatëpjetën.


Shpëtim: Aty vazhdonte më tmerr.

Ardit Gjebrea: T’u larguan të gjithë.

Shpëtim: Po, m’u larguan. Vëllezërit më kritikonin, mos këtu, mos atje por ishte diçka që unë nuk bindesha. mendoja që kjo pija do më bënte të fortë dhe do ta bindja familjen prapë. Isha në një rrugë tepër të gabuar. Rrugë e gabuar kjo.

Ardit Gjebrea: Më trego pak, ti si jetoje gjatë kësaj kohe?

Shpëtim: Shumë keq. Jetoja vetëm në shtëpi.

Ardit Gjebrea: Vetëm fare?

Shpëtim: Vetëm fare.

Ardit Gjebrea: Po ndërkohë kur ishe i dehur, si ecje rrugës?

Shpëtim: Ka pasur raste që shokët i kam pasur të mirë se nuk kam qenë fort në atë lloj grade dhe më kanë çuar shumë persona edhe në makinë, por në shumicën e rasteve shkoja edhe vetë.

Ardit Gjebrea: Ti i jepje makinës?

Shpëtim:  Jo.

Ardit Gjebrea: S’mundeshe.

Shpëtim: Unë rrëzohesha në këmbë, jo më me makinë.

Ardit Gjebrea: Sa kile ishe?

Shpëtim: 60 kile.

Ardit Gjebrea: 60 kile?! Po sot sa je?

Shpëtim: Sot jam 90.

Në mes të kësaj gjendjeje, Shpëtimi njihet me Besën e cila sapo kishte humbur të atin. Ai nuk ia rrëfeu varësinë e tij, por ndërkohë ajo e kishte kuptuar për shkak të kthimit nga emigrimi pa para. Ndërkohë kishte mbetur shtatzënë dhe pasi e pa që situata nuk po ndryshonte, u largua.

Shpëtim: Pas ikjes së saj, ka qenë fundi.

Ardit Gjebrea: Se e preke njëherë, tani ishte fundi tjetër.

Shpëtim: Po, por nuk e di se me ndihmën e Zotit se Zoti mund të bëjë mrekullira, ka fiks 4 vjet…

Ardit Gjebrea: Ku iku Besa, iku në Peshkopi më duket?

Shpëtim: Po, iku në Peshkopi, atje ka vëllezërit.

Ardit Gjebrea: Dhe aty filloi një jetë larg teje.

Shpëtim: Ajo filloi një jetë, por ajo është një burrëreshë mund t’i them. Ajo ka dalë e ka mbledhur lule në mal për të rritur atë fëmijë.

Hoqi dorë nga alkooli për familjen, Shpëtimi kujton ritakimin pas 10 vitesh me gruan e djalin

Varësia nga alkooli i dha fund dy martesave të Shpëtimit. I mbetur i vetëm, pa para ndërsa rropatej në emigrim dhe gjithçka që fitonte i shpenzonte për alkoolin, Shpëtimi ndiente se ndodhej në një gjendje të tmerrshme.

Por në rrugëtimin e tij drejt largimit nga kjo varësi, pati shumë ndihmë. Fillimisht, rrëfen ai për “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, një shok me të cilin punonte në Greqi, Hekurani e shkundi nga gjendja ku ishte dhe e solli në realitet.

Për Shpëtimin, puna nisi të kthehej në një motiv për t’u ribashkuar me Besën, bashkëshorten e dytë me të cilin ka edhe një djalë  por fillimisht i duhej të shënonte kthesë në jetën e tij.


Shpëtim: Ëndrra ime ishte sigurisht Besa me gjithë çun, por ëndrra ime ishte që të rregulloja shtëpinë. Doja që të më kompletohej shtëpia, të shoh deri ku jam unë, atëherë…

Ardit Gjebrea: Që nga momenti që Besa iku deri te momenti që ti vendose “stop”, sa vite kanë kaluar?

Shpëtim: 10 vite.

Ardit Gjebrea: Dhe ëndrra jote ishte të rifitoje familjen, por t’i siguroje minimalisht kushtet e duhura për të jetuar, ndaj mendove edhe shtëpinë apo jo?

Shpëtim: Po, po.

Ardit Gjebrea: Dhe çfarë bëre?

Shpëtim: Kam punuar fuqishëm, kam punuar egër, më kanë ndihmuar edhe shokët, në momentin që kanë  parë që unë kam hequr dorë nga alkooli, kam një shoqëri shumë të mirë edhe më ndihmuan në mënyrë fantastike dhe arrita të bëj shtëpinë komplet.

Pas 10 vitesh nga ndarja, një ditë Besa, së cilës i rrëfenin gjithçka për Shpëtimin, e telefonoi duke i shprehur mosbesimin e saj.

Shpëtim: Nuk e besonte. Thoshte “s’është e vërtetë të jetë kjo shtëpia jote, ti shtëpinë e ke shitur”.

Ardit Gjebrea: Po më gënjen thoshte.

Shpëtim: Po. Mora makinën…

Ardit Gjebrea: Se ti more edhe makinën ndërkohë, more makinën dhe i shkove atje. Ajo u çudit që ti po i jep makinës.

Shpëtim: U çudit, kur më pa në makinë u habit. Rrinte më shihte, e habitshme, nuk e besonte.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishte djali në momentin që iku Besa në Peshkopi?

Shpëtim: Ka qenë 4 vjeç.

Ardit Gjebrea: Pra ti e gjete djalin 14 vjeç.

Shpëtim: Cili ishte momenti që ajo u bind që të vinte me ty?

Ardit Gjebrea: Pa shumë gjëra, pastaj shkova te një vëlla në Greqi unë, fliste me njerëzit e mi, tha që duhet të jetë e vërtetë dhe pastaj erdhi, kemi marrë familjen dhe kemi ardhur këtu.

Shpëtim: Tani, çuni nga 4 vjeç në 14 vjeç, cili ishte impakti, si u soll ai me ty në momentin që të pa?

Ardit Gjebrea: Iu duk e çuditshme se ka qenë i vogël shumë ai dhe…

Shpëtim: Nuk mësohej dot me ty.

Ardit Gjebrea: Po, nuk më mbante mend. Kurse sot ai…

Shpëtim: Çmendet për ty.

U ribashkua me bashkëshortin pas 10 vitesh, Besa: M’u duk sikur ndarja s’kishte ndodhur kurrë

Shpëtimit iu desh ta mësonte përmes një rruge jo të lehtë se gjithçka që i nevojitej ishte familja. Në historinë që rrëfeu në “Ka Një Mesazh Për Ty”, ai tregoi se si varësia nga alkooli nuk e bënte të ndihej më i fortë dhe as nuk e përmbushte. Me shumë kurajë e guxim, ai gjeti forcën që të shkëputej dhe të rindërtonte jetën e tij për të patur mundësinë të ribashkohej me Besën dhe djalin e tyre.

Pas 10 vitesh nga ndarja, Besa kuptoi se ndryshimi i Shpëtimit ishte i vërtetë. Ai kishte hequr dorë nga pija, kishte rindërtuar shtëpinë dhe ishte gati që t’i përkushtohej familjes. Falja e saj është shumë e rëndësishme për Shpëtimin ndaj dhe e ka thirrur Besën në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan; t’i shprehë publikisht atë që i mban zemra.


Shpëtim: Dua të falenderoj bashkëshorten. Do ta mbështes deri në vdekje këtë familje dhe i kërkoj të falur.

Besa: Përderisa ne jemi famije, unë e kam falur.

Njëkohësisht, edhe për Besën nuk ishte e lehtë jeta në Peshkopi. Kur u largua, djali ishte vetëm 4 vjeç dhe nuk ishte e lehtë. Në krah kishte motrat e vëllezërit, por mbështetej fort te vetja dhe te djali deri në momentin e ritakimit me Shpëtimin.

Ardit Gjebrea: Në momentin  e parë kur e takove  Shpëtimin pas 10 vjetësh, si ishte?

Besa: Me thënë të drejtën, skur s’kishte ndodhur ndarja asnjëherë.

Ardit Gjebrea: Vërtet? E besove?

Besa: Me kalimin e ditëve vazhdova që ta besoj.

Ardit Gjebrea: Dalëngadalë. Po kur e pe që po i jepte makinës?

Besa: Aty jam tronditur.

Ardit Gjebrea: Aty the nuk ka mundësi! Po momenti i parë kur pe shtëpinë?

Besa: E pashë që ka ecur shumë përpara, që ka ndryshuar.

Ardit Gjebrea: Dhe ti nuk e besoje këtë gjë.

Besa: Ishin 10 vite, nuk ishin pak dhe ishte një distancë. Në ato 10 vite unë Shpëtimin një herë e kam takuar.

Ardit Gjebrea: Si e takove?

Besa: Desha një firmë për çunin, për një prokurë.

Ardit Gjebrea: Dhe ai ishte në atë periudhën e vështirë kur e takove.

Besa: Po, shumë të vështirë.

Ardit Gjebrea: Ta dha firmën?

Besa: Po.

Ardit Gjebrea: Gjë e mirë kjo.

Besa: E kam falenderuar pa masë.

Ardit Gjebrea: Gjatë atyre 10 viteve, nuk të mbushi mendjen ndonjë Shpëtim tjetër? Shpëtimi menjëherë reagoi që “ore!”

Besa: Tani kishte, por nuk e di dashurinë e Shpëtimit e kisha thellë brenda.

/tvklan.al