Gjermanët një tank fitues, ka sulmin më të mirë në Europë

Një tank autentik që duket se nuk ka ndërmend të ndalojë. Është ky Bajern Mynihu i magjistarit Julian Nagelsman, i cili nuk ka hasur as më të voglin problem në marrjen e trashëgimisë së Flik në Bavari. Deri më tani në Europë nuk ka bërë askush më mirë se ta, me një mesatare që sa vjen e bëhet më e madhe pas çdo sfide. Në 9 sfidat e para në Bundesligë, Bajern ka shënuar 33 herë me një mesatare prej 3.66 golash për ndeshje, duke pasur edhe sulmin më të mirë Europian ndonjëherë.

Edhe më e mirë është paraqitja në Kupat e Europës. Bajern Mynih në Çempions Ligën e këtij sezoni është thjeshtë fenomenal. Në tre sfida ka shënuar 12 gola, pra një mesatare prej 4 golash për ndeshje. Ylli bombardues është gjithmonë Robert Levandovski, i cili nuk i ndjen aspak 33 vitet mbi shpinë.

10 gola në Bundesligë e 5 në Ligën e Kampionëve për polakun. Statistika mbrësëlënëse dhe të gjithë kundërshtarët janë të paralajmëruar tashmë. Në Mynih nuk e kanë harruar ende eliminimin e vitit të shkuar në çerekfinalet e Çempions ndaj PSG-së dhe tanku Bajern vijon të shkërmoq këdo që i del përpara me një dëshirë tepër të madhe për hakmarrje.

Klan News