Dosier-Disa pamje bardhë e zi dhe disa kronika kanë rikthyer në vëmendje një personazh disi të panjohur për një pjesë të madhe të shqiptarëve.

Bëhet fjalë për Ahmet Zogun, një prej figurave më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, gjysmës së parë të shekullit të XX. Ai është një nga ata njerëz që ka ndikuar në historinë shqiptare që nga viti 1913 dhe deri në vitet 1943-44, kur komunistët dhe regjimi që ata instaluan mori në dorë frenat e pushtetit në Shqipëri. Figura e tij për shumë kohë ka qenë enigmatike dhe e ndaluar në Shqipëri. Në vitet e komunizmit askush nuk pati mundësi të shihte figurën e tij, nuk ekzistonte asnjë foto dhe asnjë kronikë nuk transmetohej.

Përmes emisionit “Opinion”, realizuar në datë 13.05.2004, gazetari Blendi Fevziu për herë të parë hedh dritë mbi figurën e Ahmet Zogut.

Emisioni do të jetë i ndarë në tre episode dhe do të trajtojë fillimet e karrierës së tij politike dhe deri në ditën që ai vdiq në Paros të Francës.

“Opinion” shfaqi për herë të parë pamje, të cilat i kishin marrë nga arkivat italiane dhe franceze.

Zogu arriti të ketë gjithçka që një njeri mund të marrë nga politika. Ai arriti të ishte deputet, ministër, kryeministër, president dhe më pas mbret i vendit, duke shënjuar dhe njëkohësisht, duke hedhur bazat për shtetin shqiptar.

Ahmet Zogu vinte nga Burgajeti i Matit, lindi më 8 Tetor 1895. Ai u edukua atje deri në vitin 1908, kur babai i tij vdiq. Po në këtë vit, në moshën 13-vjeçare, ai u dërgua në Stamboll dhe kreu studimet në Liceun e Gallasatarait dhe qëndroi atje deri në vitin 1911. Më pas e transferuan në një shkollë ushtarake në Manastir dhe qëndroi vetëm pak muaj. Në fund të vitit 1919, Ahmet Zogu u kthye nga Manastiri ku po studionte në një shkollë ushtarake dhe shkoi në Burgajet. Pasi shmangu vëllanë e tij, ai arriti të bëhej një nga drejtuesit e fisit të tij dhe gjatë vitit 1912 Zogu ingranohet në lëvizjet politike të kohës.

Ai u shfaq në Vlorë menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, për t’i shprehur qeverisë së re të Ismail Qemalit gatishmërinë dhe besnikërinë e tij për t’u përfshirë në politikë. Pasi qëndroi vetëm pak kohë në Vlorë, Zogu e kuptoi që me moshën që kishte ishte shumë e vështirë të bënte përpara në administratë. U rikthye sërish në Mat duke menduar më shumë për dajën e tij, Esat Pashë Toptanin, një nga figurat më të rëndësishme politike në vend, i cili kishte filluar kontradiktat me qeverinë dhe ishte vendosur në Durrës.

Por duket se mes dajës dhe nipit nuk kishte marrëdhënie të sinqerta. Në vitin 1913-1914 me ardhjen e Princ Vidit, Zogu sheh një mundësi tjetër për t’u përfshirë në administratën shqiptare. Ai i ofron Vidit gatishmërinë e tij, por sërish tërhiqet në Mat. Në 1914, ai u shfaq në mbrojtje të Princ Vidit kundër Haxhi Qamilit.

Në vitin 1915 daton edhe një takim i Zogut me Esat Pash Toptanin dhe sipas Eqerm Vlorës, Esat Pasha është shprehur: Nëse këtij djali nuk i presim këmbët me kohë, ai do të na hajë kokat të gjithëve. Esat Pasha ishte i pari që kërkoi të priste në mes karrierën e Zogut, por nuk arriti. Në vitin 1916, Zogu shfaqet në krah të austro-gungarezëve, të cilët e ftojnë në Vienë për të marrë pjesë në kurorëzimin e Princ Karls dhe pas këtij eventi, deri në vitin 1919, ata nuk e lejojnë që ai të kthehet në Shqipëri. Në fund të vitit 1919, Zogu kthehet në Shqipëri dhe takon Ministrin e Jashtëm jugosllav dhe bisedon me të për të ardhmen e Shqipërisë.

Në Janar të vitit 1920, Kongresi i Lushnjes zgjodhi disa persona, të cilët do të drejtonin më pas Shqipërinë. Si kryeministër i Shqipërisë përcaktohet një njeri mjaft i ndershëm, Sulejman Delvina dhe ai emëron si Ministër të Brendshëm, Ahmet Zogun dhe pasi nuk arritën të hyjnë në Durrës për shkak se mbrohej nga italianët, ata shpallin Tiranën kryeqytet provizor. Në të vërtetë, historia politike e viteve 1920-1923 është një nga më interesantet, jo vetëm për zhvillimet intensive, por edhe për jetën e gjallë politike dhe zgjedhjet e lira.

Në vitin 1921 u zgjodh parlamenti i parë. Në vitin 1922, Zogu konfirmohet si kryeministër i Shqipërisë dhe në këto kohë partitë politike fillojnë të kenë probleme me Esat Pash Toptanin, i cili nga Franca kërkonte të rrëzonte qeverinë. Ndërkohë që qeveria përgatiste një delegacion për të negociuar me të, Avni Rustemi vret Esat Pash Toptanin.

Nga mënyra se si eleminoheshin kundërshtarët në atë periudhë nuk arriti të shpëtonte as Ahmet Zogu. Në vitin 1923, ndërkohë që ngjitej në shkallët e parlamentit, një djalosh i ri i quajtur Beqir Valteri qëllon kundër tij disa herë, por nuk arrin ta vrasë, vetëm e plagos. Pasi dorëzohet, Beqir Valteri dëshmon se ishte shtyrë nga Avni Rustemi për të bërë këtë atentat dhe Zogu planifikon hakmarrjen e tij politike.

Në 5 Maj të vitit 1924 vritet Avni Rustemi, një nga deputetët më të njohur. Dhe të gjithë dyshonin se në vrasjen e tij kishte gisht Ahmet Zogu, por ai deklaronte se ishte një shërbëtor i Esat Pashës, ai që e kishte bërë këtë për të marrë hak. Në një situatë të turbullt, 39 deputetë të opozitës vendosin të marrin në dorë pushtetin dhe largohen në Vlorë duke thënë se ndihen të pasigurtë. Më 9 Qershor të 1924, Zogu bën përpjekjen e fundit me qytetarët e Tiranës për ta mbështetur, por askush nuk e mbështeti dhe Zogu u tërhoq me një pjesë të deputetëve në drejtim të Jugosllavisë.

Pas një jave tensionesh, në krye të vendit zgjidhet Fan Noli. Në 6 muaj, ai nuk arrin të japë rezultate. Në fillim të vitit 1925, Ahmet Zogu rimbledh parlamentin dhe propozon që nga principatë ta kthente në Republikë Presidenciale. Zogu vendos të ecë përpara dhe në fillim të vitit 1928, Kost Çekrezi thirret në Ministrinë e Jashtme dhe i kërkohet që përmes gazetës “Telegraf”, të botojë një editorial në të cilin të kërkojë që Shqipëria të kthehet në monarki. Zogu nuk humb kohë dhe në Gusht të atij viti merr vendimin për të shpallur Shqipërinë monarki dhe Zogu I shpallet mbret.

Por duket se Zogu kishte një problem të vjetër në stomak, ai vunate nga ulçera dhe dy profesorë austriakë i kërkojnë të operohet në Vienë. Në vitin 1931, ai udhëton drejt Vienës dhe kundërshtarët e tij ndërmarrin një atentat, i cili ishte edhe më i rrezikshmi. Pas kurimit, ai rikthehet në Shqipëri dhe vendos t’i japë rëndësi jetës mondane./ tvklan.al