Sherri nisi pas përplasjes së automjeteve

Dy persona mbetën të plagosur me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të shtune në Tiranë. Ata janë Altin Gjoka, 32 vjeç, i cili ka marrë plagë në shpatull dhe Jetmir Marashi, 28 vjeç, që ka mbetur i plagosur me plumb në gjoks.

Burime zyrtare të policisë thonë se plagosja dyshohet të ketë ardhur si pasojë e një konflikti të çastit. Të plagosurit dhe autori i dyshuar ndodheshin në një lokal në rrugën “Todi Shkurti” të kryeqytetit, kur u përplasën fillimisht verbalisht e më pas sherri degjeneroi në përdorimin e armëve.

Shkak për ngjarjen, paraprakisht dyshohet se u bë përplasja e automjeteve mes palëve.

Dy të plagosurit ndodhen në spital, në gjendje të stabilizuar. Ndërkohë, policia tha se ka mundur të identifikojë autorin e kësaj ngjarjeje dhe po punon për kapjen e tij.

Ai është 31-vjeçari Aldo Gjini, person me precendentë të theksuar kriminalë dhe në kërkim nga Europol. Kjo pasi më 24 Nëntor të 2020, ai akuzohet si autor i një tentativë vrasjeje, ngjarje e ndodhur në Remich të Luksemburgut. Ndaj Gjinit ka një urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar më 11 Shkurt 2021 dhe që prej asaj kohe ai rezulton në kërkim.

Ndërsa në vitin 2016, Gjini u arrestua së bashku me vëllain e tij, në Italinë fqinje si pjesë e një bande që shpërndanin drogë në Ascoli. Banda akuzohej se furnizonin me kokainë e marijuanë rrethinat e këtij qyteti./tvklan.al