Shqiptari i vrarë mbrëmjen e së hënës në Krefeld të Gjermanisë në mes të rrugës, nuk ishte një viktimë e rastësishme. “Po hetojmë të gjitha pistat e mundshme kriminale, por ajo që mund të themi është se 42-vjeçari nuk ishte viktimë e rastësishme”, tha prokurori Axel Stahl i pyetur nga mediat gjermane.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 19:50. Dëshmitarë thanë se kishin dëgjuar disa të shtëna me armë dhe se kishin parë dy meshkuj duke u larguar më vrap nga vendi i ngjarjes. Një prej plumbave e preku shqiptarin në kokë, duke i shkaktuar dhe vdekjen e menjëhershme. Trupi i tij i pajetë u gjet në anë të rrugës.

42-vjeçari kishte 4 vjet që jetonte në Gjermani. Një zëdhënës i policisë tha se ai ishte i njohur për autoritetet vendase për krime që lidheshin me drogën e pronën.

Megjithatë hetuesit gjermanë thonë se ai nuk ishte “kokë” në biznesin e drogës, por shpërndarës dhe përdorues vetë i lëndëve narkotike.

Të paktën 30 oficerë policie kërkuan të martën në zonën ku ndodhi ngjarja me qëllim gjetjen e armës së krimit, ndërsa në pyetje u morën edhe banorët e zonës./tvklan.al